Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji ka treguar se si është takuar me Fredi Alizoti në selinë e Partisë Demokratike. Për të cilin tha se u takua me të gjithë figurat e Partisë Demokratike dhe tregoi se ka prova që implikojnë vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafik droge.
I ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Real Story” , Salianji e quajti Alizotin “kontingjent kriminal” që është vënë në shërbim nga socialistët.
“Alfred Alizoti ka ardhur në selinë e PD, pasi është bërë përgjimi. Florenc Hoxha e ka marrë dhe kemi folur. Alizoti më ka thënë se të PS ma kanë dhënë 200 mijë euro, Taulant Balla më ka kërkuar këto favore. Florenc Hoxha ka qenë po ashtu i përfshirë, por Prokurorisë sa duket nuk i interesonte.
Alizoti është kontingjent kriminal, as 3 mijë lekë nuk i ka dhe të PS e kanë vënë në shërbim, i japin lekë gjithë kohës. Alizoti s’ka pasur kontakte me Agron Xhafajn, por me Babalen. Alizoti ka ardhur në PD që të bëjë foto me mua që të më kompromentojnë”, tha Salianji.
Sa i përket takimit me Babalen, Salianji tha se ai duhet të ishte dënuar sot së bashku me Agron Xhafajn, por i lanë që të largoheshin.
“Babalen e kam takuar bashkë me Jetmir Olldashin. Më kanë thënë më jepni garanci, sepse bëhet fjalë për vëllanë e një njeriu të rëndësishëm, ministër dhe drejtues i grupit për Reformën në Drejtësi. Më ka thënë që kanë qenë në burg bashkë. Agron Xhafaj dhe Babalja duhet të dënoheshin.
I lanë të dy të ikin, sepse nuk donin të dënohen për grup të strukturuar kriminal. Më kanë thënë se vazhdon aktivitetin kriminal. Pse ju mendoni se është e lehtë të përballesh me krimin që ka lidhje me pushtetin. Regjistrimi origjinal është dorëzuar nga gazetari Jetmir Olldashi”, u shpreh Salianji.