Trajneri i klubit të Interit, Antonio Conte është kërcënuar me jetë, përmes një zarfi anonim që i ka mbërritur në shtëpi.
Sipas mediave italiane, në brendësi të zarfit ndodhej një plumb, ndërsa 50-vjeçari ka bërë denoncimin e menjëhershëm në polici. Corriere della Sera raporton se policia po heton dërguesin e mundshëm dhe do të testojë zarfin për shenjat e gishtërinjve në përpjekje për të zbuluar identitetin.
Plani është që të analizohet sistemi i vëzhgimit të videove në rrugën e shtëpisë së Conte. Ekziston mundësia se personi në fjalë e ka bërë këtë thjesht për të tërhequr vëmendje dhe se kërcënimet mos të jenë serioze.
Pas marrjes së kësaj letre, Conte ka rritur sigurinë në shtëpinë e tij dhe në terrenin e stërvitjes së klubit, për të mbrojtur veten dhe familjen e tij. Kjo nuk është hera e parë, që personazhe publike, kryesisht ata të botës së sportit, marrin të tilla kërcënime.
Sulmuesi italian Fabio Quagliarella në mënyrë të ngjashme u përball me kërcënime të shumta nga një ‘stalker’ gjatë kohës së tij në Napoli.