Sot fillon edicioni i 22 i Panairit të Librit “Tirana 2019”. Edhe këtë vit panairi do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, ku në 100 pavione të ndryshme do të ekspozohen titujt e librave më të rinj. Panairi i Librit, tashmë me një traditë të konsoliduar bashkon njerëz, lexues, botues, shkrimtarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, duke u kthyer në një aktivitet rajonal të rëndësishëm.
Nga informacohet paraprake në panair do të jenë pjesëmarrës rreth 200 shkrimtarë dhe do të promovohen 60 tituj të rinj librash.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve, i cili është edhe organizator i këtij Panairi, Petrit Ymeri, ndalet tek risitë kryesore të këtij edicioni.
“Panairi ka rreth 100 botues nga të gjitha trevat shqipfolëse, por do të ketë edhe disa përfaqësi nga institucionet e huaja, që merren me librin. Gjatë ditëve të panairit do të ketë shumë aktivitete, që kanë të bëjnë më përkthimin, mes tyre edhe rreth 60 promovime librash”, thotë kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri.
Panairi do të mbyllet në datë 17 nëntor. Në fund të tij, pritet të zgjidhet dhe vepra fituese për këtë edicion.