Banorët e Astirit po zhvillojnë një tjetër protestë mëngjesin e sotëm përpara ambienteve të një hoteli në Tiranë, në drejtim të ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt.
Në momentin që ambasadori po futej në ambientet e hotelit ku po mbahej konferenca mbi Reformën Zgjedhore, gratë e Astirit e kanë pritur me pankarta në duar.
“Ne kemi ardhur këtu të kërkojmë dorëheqjen e tij, pasi ai na ka fyer rëndë”, u shpreh për Fax News një prej banoreve të pranishme në protestë.
“Borchardt shame on you”, “Dinjiteti ynë është më i rëndësishëm sesa gishti i Borchardt”, janë disa nga shkrimet që lexohen në pankartat që banorët mbajnë në duar.
“Ne kemi pasur hallet dhe problemet tona, për të drejtën e shtëpisë. Ai ka sha veten, dhe nuk duhet të qëndrojë më në Shqipëri”, shprehet një tjetër protestuese e Astirit.
Kujtojmë se këto protesta vijnë si pasojë e gjestit fyes që ambasadori i OSBE-së, bëri në një nga protestat e Unazës së Re, duke i treguar banorëve gishtin e mesit. Menjëherë pas saj, banorët filluan nënshkrimin e një peticioni i cili kërkonte dorëheqjen e ambasadorit Borchardt.