Me kalimin e orëve, të tjera të dhëna kanë dalë në dritë referuar shpërthimit me eksploziv në automjetin e Artan Bylykut, pranë zonës së quajtur ish-“Frigoriferi”. Artan Bylyku, rreth 50-vjeç, fatmirësisht nuk pësoi dëmtime.
Objektivi i atentatit është një person pa precedentë penal. Mësohet se ai është kunat i Domart Konjarit, një emër i njohur për policinë, i cili i ka shpëtuar drejtesisë shqiptare dhe asaj franceze.
Domart Konjari është në arrati, ndërsa akuzohet për një sërë veprash penale në Francë si, “trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijimi i organizatave kriminale”.
Skeda/Kush është Domart Konjari?
Domart Konjari, i shpallur në kërkim për vrasjen e Devi Kasmit me 9 plumba në Tiranë, është një personazh i njohur i botës së krimit. Konjari u arrestua në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në nëntor të vitit 2015, për llogari të autoriteteve franceze, ku ndaj tij kishte një dënim nga gjykata me 10 vite burg. Mirëpo, pesë muaj më vonë pas arrestimit, Apeli i Krimeve të Rënda zbuti masën e sigurimit ndaj Konjarit, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje” për shkelje të procedurave.
Kjo bëri që Konjari të arratisej. Në dosjen që Krimet e Rënda kanë marrë nga autoritetet franceze, renditen me detaje të gjitha veprimtaritë e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani.
Ai nuk është emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2006, ai u arrestua për vrasjen e Fatjon Naxhakut, tek Shkolla e Kuqe. Por u lirua pas pak kohe, për shkak se hetimet provuan se ai e kishte kryer krimin për vetëmbrojtje, pasi Naxhakun e qëlloi me pistoletën e tij gjatë një tentative të viktimës për ta ekzekutuar.
Arratisja në dhjetor 2016
Duke qenë se vepra për të cilën akuzohej në Francë, “trafik lëndësh narkotike”, ishte në kompetencë të Gjykatës për Krime të Rënda, dosja me arrestimin e tij u kalua nga Gjykata e Korçës për në Tiranë. Në bazë të një vendimi, i cili u kontestua nga ana e Prokurorisë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Shkurt 2016 urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij dhe masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë që Konjari fitoi lirinë, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimet e saj për veprat e akuzuara në Francë, në bazë të materialeve të mbërritura nga autoritetet zyrtare të Parisit. Në bazë të këtyre hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi sërish në Dhjetor 2016 caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Konjarit. Kjo kërkesë u pranua nga ana e Gjykatës, por ndërkohë, ai nuk është gjetur ende nga policia pavarësisht se me vendim gjykate, ai duhej të paraqitej pranë Policisë Gjyqësore në mënyrë periodike.