Presidenti i Republikës, Ilir Meta, niset ditën e sotme për një vizitë zyrtare në Estoni.
Mësohet se vizita e presidentit Meta, e cila u bë me ftesë të presidentes të Republikës së Estonisë, Kersti Kaljulaid, do të zgjasë 2 ditë. Kreu i Shtetit do të takohet edhe me kryetarin e Parlamentit të Estonisë, Henn Polluaas, dhe kryeministrin Juri Ratas.
Në këto takime do të diskutohet për sfidat e përbashkëta të sigurisë europiane, proceset e integrimit euro-atlantik dhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes reciprok.
Gjithashtu do të nënshkruhet edhe Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e Integrimit Evropian ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme të të dy vendeve.
Presidenti Meta do të japë edhe një ligjëratë në shkollën estoneze të Diplomacisë, si dhe do të vizitojë Qendrën e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike të NATO-s dhe Qendrën e Brifingjeve E-Estonia.