Nga Anne-Marie Slaughter & Asha C. Castleberry “Project Syndicate”
Në dhjetorin e vitit 2018, presidenti amerikan Donald Trump shpalli fitoren ndaj Shtetit Islamik. Dhe në 3 muajt e parë të këtij viti, Trump ka deklaruar plot 16 herë në Twitter se ISIS-i ose është mposhtur tërësisht, ose se do të mposhtet së shpejti. Por qeveria e Shteteve të Bashkuara, duket se nuk pajtohet më me këtë qëndrim.
Në muajin gusht, 3 inspektorë të njohur të Departamentit të Mbrojtjes, Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, i dorëzuan Kongresit një raport të përbashkët, pas shqyrtimit të imtësishëm të Operacionit “Inherent Resolve”, fushatës amerikane ushtarake për të mposhtur ISIS-in në Siri dhe Irak, gjatë periudhës nga 1 prill-30 qershor 2019.
Ata arritën në përfundimin se “megjithë humbjen e territorit fizik, mijëra luftëtarë të ISIS mbeten ende në Irak dhe Siri, po ndëmarrin sulme, dhe po punojnë për të rindërtuar aftësitë e tyre”. Rilindja e ISIS-it, është pjesërisht rezultat i vendimeve të Trampit në dhjetorin e vitit të shkuar për tërheqjen e të gjithë trupave amerikane nga Siria, dhe përgjysmimin e tyre në Afganistan, gjë që detyroi Sekretarin e Mbrojtjes Xhejms Matis të jepte dorëheqjen, dhe i bëri partnerët rajonalë të sigurisë të SHBA-së, më pak të aftë për të kryer operacione kundër terrorizmit.
Në Irak, ISIS po rigrupohet, dhe po ngre celula klandestine terroriste në zonat kryesore si Bagdad, Ninive, Anbar, si dhe në Luginën e lumit Eufrat e Mesëm. Në Siri, grupimi terrorist po ndërmerr kundërsulme të forta në provincën e Rakës dhe Homsit, si dhe po kërkon me agresivitet krijimin e një zone të sigurtë për veten.
Tramp nuk ka të ngjarë të anulojë vendimin e tij për tërheqjen e trupave. Por hapësira e betejës së ISIS-it, është sa dixhitale aq edhe fizike. Dhe në këtë drejtim, administrata Trump duhet të forcojë aftësinë e Amerikës për të luftuar në një mënyrë efektive.
Kur ISIS-i sulmoi qytetin irakian të Mosulit gjatë kryengritjes së këtij grupi në vitin 2014, miliona njerëz i panë zhvillimet në kohë reale, duke ndjekur hashtagun #AllEyesOnISIS në Tëitterin arab. Këtu përfshiheshin edhe mbrojtësit irakianë të qytetit, të cilët u demoralizuan gjithnjë e më shumë dhe në fund e braktisën atë.
Sikurse shprehen Piter Singer dhe Emerson Bruking në librin e tyre ”Si lufta:Militarizimi i mediave sociale”, ISIS ndërmori “një sulm ushtarak si një fushatë marketingu virale, dhe korri një fitore që nuk dukej se ishte e mundur”. Në mënyrë të ngjashme, edhe ISIS 2.0, po përdor njoftimet për shtyp dhe ndikimin që ka në mediat sociale, për të përhapur ndikimin e tij në mbarë botën, dhe për të rekrutuar luftëtarët e huaj, simpatizantë dhe mbështetës financiarë.
Për shembull në prill të këtij viti, grupi publikoi një video të udhëheqësit të saj, Ebu Bekër Al-Bagdadi, që mori përgjegjësinë për sulmet vdekjeprurëse me bomba të dielës e Pashkëve në Sri Lanka. Operacioni global mediatik i ISIS, prodhon edhe “Soldiers Harvest II”, një botim i përjavshëm, ku përmblidhen operacionet ushtarake të këtij grupi.
Ky sulm në fushën e komunikimit, po i jep ISIS-it mundësinë që të kundërshtojë pikëpamjen globale, sipas së cilës pas rënies së Kalifatit të tij grupimi është mposhtur. Singer dhe Bruking, thonë se ISIS ka “armatosur” vetë Internetin, duke krijuar një hapësirë betejash dixhitale, ku një narrativë online mbi fitoren, mund të përkthehet në një sukses në terren.
Amerikanët dhe publiku në të gjithë botën, duhet ta kuptojnë më në fund, se lufta kundër ISIS dhe grupeve të tjera terroriste xhihadiste, është një lloj konflikti i ri dhe i ndryshëm, që nuk do të “fitohet” një herë e përgjithmonë. Mbështetja ndaj ISIS, Al-Kaedës, Boko Haram dhe grupimeve të ngjashme, pasqyrojnë faktorë të shumtë socialë, ekonomikë dhe demografikë, nga korrupsioni tek ndryshimi i klimës.
Lufta kundër këtyre grupeve, duhet të zhvillohet në shumë fusha të ndryshme, duke filluar me politikën e brendshme të vendeve ku veprojnë ato. Kjo luftë duhet të zhvillohet edhe online. Dhe këtë e di shumë mirë ushtria amerikane. Në vitin 2016, Shefat e Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane, publikuan një studim që përqendrohej mbi atë se si fitohet “beteja për narrativën”. Ai hapej me citatin:”Është më e lehtë të vrasësh një njeri të keq, sesa një ide e keqe”.
Në këtë kuadër, Komanda Kibernetike e SHBA-së, do të shndërrohet deri në vitin 2028, në një komandë të operacioneve të luftës së informacionit. Ajo do të integrojë në një operacionet në internet, luftën elektronike dhe operacionet e informacionit. Por viti 2028, është gati një dekadë larg, dhe ISIS-I nuk do të presë deri atëherë për të goditur sërish.
Për më tepër, kjo luftë është shumë e rëndësishme për t’ua lënë vetëm ushtarëve. Strategjia Kombëtare e Sigurisë Kombëtare, duhet të rekomandojë një model bashkëpunues të ngjashëm me Brigadën 77-të të Ushtrisë Britanike, që bën bashkë departamentet qeveritare në luftën e informacioniy.
Mjerisht, administrata Trump e shkriu në fillim Qendrën e Angazhimit Global në Departamentin e Shtetit, që i kundërvihej propagandës terroriste, dhe që sot ka për detyrë të luftojë dezinformimin në rang global. Fatmirësisht, Kongresi e refuzoi masën e presidentit. Departamenti i Shtetit, duhet të jetë një partner i plotë në zhvillimin e një kundër-narrative të fortë dhe të besueshme, që kërkon shumë më tepër nuanca dhe diapason, sesa kundër-propaganda tradicionale. Për më tepër, vendet e tjera që luftojnë ISIS-in duhet të sigurojnë që të kenë aftësi të ngjashme, dhe që mund të bashkëpunojnë me aleatët, si në aspektin diplomatik ashtu edhe atë ushtarak.
Luftërat e informacionit, janë gara midis mënyrave të ndryshme të të parit dhe të kuptuarit të botës. Dhe ato kërkojnë një aftësi dhe ekspertizë të re, që shtrihet përtej komunikimeve tradicionale. Ndërkohë, mediat kombëtare dhe globale përballen me një problem.
Nga njëra anë, historitë e ISIS-in rrisin dukshmërinë e tij, dhe deri në një farë mase edhe joshjen ndaj tij dhe grupeve të ngjashme. Nga ana tjetër, rënia e konsiderueshme e mbulimit të mediave amerikane mbi ISIS-in gjatë viteve të fundit, forcon perceptimin e publikut sikur ky grup nuk përbën më një kërcënim.
Gazetarët dhe redaktorët duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë hendek, dhe nduhet të shqyrtojnë më nga afër mënyrën se si forcat që i kundërvihen ISIS në të gjithë botën, po angazhohen me publikun. Publiciteti është “gjaku” i të gjithë grupeve terroriste. Ata i përdorin sulmet për të rritur vetëdijen për kauzën e tyre, dhe për të tërhequr mbështetjen e të tjerëve.
Për më tepër, teknologjitë digjitale e lejojnë ISIS-in të kontrollojë pjesë të peizazhit virtual, në një mënyrë që rrallë mundet që ta bëjë në terren. Kjo i jep mundësi të rigrupohet, dhe të gjejë mënyra të reja për të ndërmarrë sulme fizike. Ringjallja e fundit mediatike e ISIS-it, është kësisoj pararendëse e ringjalljes fizike të grupit. Kjo është arsyeja pse lufta e informacionit kundër ISIS-it, nuk duhet që të ndalet asnjëherë.
TIRANA TODAY