Brenda lajmit se për herë të parë një President i Shqipërisë po merrej në pyetje nga një komision i posaçëm hetimor parlamentar për ta shkarkuar nga detyra, një deklaratë e bujshme u bë superlajm. Ilir Meta la pa fjalë jo vetëm komisionin, por gjithë opinionin publik kur deklaroi se kishte pasur informacione se protestuesit e opozitës kishin planifikuar të digjnin Parlamentin. E thënë fjalë për fjalë nga goja e kreut të shtetit perifrazojmë:
“Presidenti nuk mund të pranonte, lejonte apo të mos shmangte një Rajhshtag të ri në Shqipëri, e cila mund të prodhonte jo vetëm plagosje të Policisë dhe qytetarëve, por edhe një shkatërrim të imazhit të Shqipërisë. Së bashku me ekipin tim, pas këtyre informacioneve, gjykuam se ishte momenti i duhur për të parandaluar një ngjarje që mund të sillte pasoja të mëdha”.
Por, përse Presidenti Meta e krahasoi këtë informacion me një ngjarje të një kohe shumë të largët më 27 shkurt 1933, për më tepër të ndodhur në një shtet larg Shqipërisë, në Gjermaninë e Adolf Hitlerit? Çfarë lidhje ka djegia e godinës së Parlamentit gjerman, e njohur Rajhshtag, 86 vite më parë, me godinën e Parlamentit të Tiranës, të cilën protestues të opozitës disa herë përgjatë vitit 2019 e kanë sulmuar me bomba molotov, por janë penguar nga Policia? Çfarë simbolike fshihet me fjalën “djegia e Rajhshtagut” me godinën e seancave plenare të Parlamentit shqiptar të ndërtuar në 1955 nga një inxhinier rus dhe një shqiptar? A ka vend për analogji mes ngjarjes në Gjermani, pas së cilës Adolf Hitler mori superpushtet dhe Shqipërisë së Edi Ramës së vitit 2019 nëse do digjej godina e Parlamentit? Dhe meqenëse Presidenti bën krahasim, në informacionin top sekret që ai dispononte, a kishte të dhëna, sipas së cilave segmente të kësaj maxhorance jo vetëm ishin të interesuar, por kanë pasur dorë në një plan të mundshëm në djegien e Parlamentit?
Më 27 shkurt 1933, në Berlin të Gjermanisë, ndodhi një ngjarje që ka hyrë në pjesën e zezë të historisë së këtij vendi dhe jo vetëm. U shkrumbua godina e Parlamentit ose siç njihet në Gjermani Reichstag (Rajhshtag). Adol Hitler mbante detyrën e Kancelarit, por pushteti i tij nuk ishte i gjerë. Pikërisht me djegien e Parlamenti nisi edhe udhëtimi i makinerisë së tij drejt një pushteti absolut. Kjo shërbeu si arsye madhore që Hitleri të niste një valë spastrimesh, duke akuzuar komunistët, por që viktimë reale ishin kundërshtarët politikë. Natyrisht, që në aksion u hodhën besnikët më të flaktë të asaj që po synonte dhe planifikonte ai.
Në librin “Ngritja dhe rënia e Rajhut të Tretë”, gazetari dhe historiani amerikan, Willim Shirer, e jep aq mjeshtërisht ngjarjen, nga e cila nga Kancelar e bëri Adolf Hitlerin diktator (Shirer L. William, “Ngritja dhe Rënia e Rajhut të Tretë”, përkthyer nga Pjetër Arbnori, Botime “Onufri”, Tiranë 2004, faqe 251-257).
Si fillim, Shirer e nis me pjesë nga ditari i Joseph Goebels (Zhozef Gebels), ministri i Propagandës në qeverinë e Hitlerit.
Shkruan Goebels:
“Ishim në shtëpinë time, me familjen time dhe me Hiterin. Mora një thirrje telefonike nga doktor Hanfshtengli: Reishcteg po digjet. Mendova i sigurt që ishte shaka, prandaj nuk i thashë Fyhrerit. Pas pak u mendova se mos nuk ishte shaka. Disa sekonda më vonë, unë dhe Fyhrer-i shkuam me 100 në orë në bulevardin Sharlotenburg, drejt vendit të krimit”
Teksa flakët përpinin kupolën e Rajhshtagut, Hermann Gering, ministri pa portofol dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Hitlerit, iu drejtuar shefit të ri të Gestapos, Rudolf Dils, me fjalët:
“Ky është një krim komunist kundër qeverisë së re. Nuk duhet humbur asnjë minutë. Duhet të jesh i pamëshirshëm. Të gjithë udhëheqësit komunistë duhen rroposur përdhe kudo që të gjenden. Që këtë natë të varen në vend të gjithë deputetët komunistë”.
Dhe plani nisi të zbatohej. U arrestua Mariunus Vab Der Lube, një komunist holandez gjysmëidiot dhe një maniak zjarrvëniesh. Në njëfarë mënyre, ai ishte bekim për nazistët sepse mburrej nëpër bare e restorante se do t’u vinte zjarrin ndërtesave publike dhe se shumë shpejt radhën e kishte Rajhshtag-u. Der Lube u mashtrua mjeshtërisht nga nazistët dhe ai u dënua me vdekje, por që në realitet trupat e sulmit duhet të bënin pjesën më të madhe të aksionit. Dhe, në fakt, kjo ndodhi. Gjithçka u realizua pikë për pikë sipas një plani të detajuar.
Këtë e vërtetojnë disa dëshmi, por tre janë më kryesoret. Gjatë gjyqit të Nurenbergut, Hans Gizevius, funksionar i Ministrisë së Brendshme deklaroi:
“Ishte Gëbëlesi që kishte menduar i pari t’i vinte zjarrin Rajhshtagut”.
Dhe e dyta, po në gjyqin e Nurenbergut është nga gjenerali Franc Halder, shefi i shtabit të Përgjithshëm të Luftës së Dytë Botërore të Gjermanisë, i cili foli për “mburrjen e madhe të Geringut” siç e quante ai atë që dëgjoi me veshët e vet.
“Në një drekë të shtruar për përvjetorin e lindjes së Fyhrerit në 1942, ra biseda për ndërtesën e Rajhshatg-ut dhe për vlerën e saj artistike. E kam dëgjuar me veshët e mi Geringun, që ndërpreu bisedën duke thirrur: I vetmi që e njoh me të vërtetë Rajhshtag-un jam unë, sepse unë i kam vënë zjarrin, dhe me këto fjalë ai u ra fort me pëllëmbë kofshëve”.
E treta vjen nga Rudolf Dils, shefi i Gestapos, njeriu që kishte më shumë informacion se çdokush tjetër:
“Gering e dinte me saktësi sesi do të ndodhte zjarri. Ai kishte urdhëruar të përgatiste përpara djegies një listë njerëzish që duheshin arrestuar më pas”.
Plani vijonte të zbatohej saktësisht. Të nesërmen e ngjarjes, më 28 shkurt, Hitleri si Kancelar i mbushi mendjen Presidentit Paul Von Hinderburg të nënshkruante një dekret për mbrojtjen e popullit dhe të shtetit, duke pezulluar 7 kapitujt e Kushtetutës që garantonin lirinë individuale dhe qytetare. Këtu përfshinin: shprehjen e lirë, lirinë e shtypit, kufizimet për të drejtat e mbledhjes, shkelja e fshehtësisë së komunikimeve postare, kufizime për pronën dhe urdhër për kontrolle etj. Pra, Hitleri kishte mundësi jo vetëm t’u mbyllte gojën ligjërisht kundërshtarëve, por edhe t;i arrestonte sipas qejfit të vet.
Dekreti autorizonte qeverinë e Rajhut të merrte plotësisht në dorë pushtetin ndër shtetet e Federatës dhe nëse e ndiente nevojën, parashikonte dënime me vdekje për një numër krimesh. Tani, Parlamentin do ta zgjidhte Partia Naziste. Marshimi drejt pushtetit absolut nuk kishte më pengesë. Kancelari dhe Presidenti shkriheshin në një post dhe këtu nisi superpushteti i Adolf Hitlerit, i cili më pas mori edhe cilësimin Fyrher. E gjithë kjo ndodhi në më pak se një muaj. Më 23 mars 1933, Adolf Hitleri ishte Zoti i Gjermanisë.
Përse Presidenti Meta përdori fjalët “Presidenti nuk mund të pranonte, lejonte, apo të mos shmangte një Rajhshtag të ri në Shqipëri”? A e kishte fjalën për këtë histori që treguam? Prej disa muajsh, që kur nisi përplasja e Metës me Kryeministrin Edi Rama, simbolika ka qenë një formë e shpeshtë e përdorur prej kreut të shtetit. Herë me alpinizëm, herë me not, herë udhëtime në Bjeshkë e herë duke luajtur me kafshë shtëpiake, Presidenti duket se i ka dërguar mesazhe të koduara Kryeministrit. Për “Rajhshtagun” ende nuk jemi plotësisht të sigurt nëse është vijim i këtyre mesazheve. Ndoshta, një ditë, Meta do ta rrëfejë vetë nëse kur përmendi djegien e Rajshtagut nga Hitleri 86 vjet më parë, nënkuptonte ose jo Edi Ramën në Shqipëri dhe djegien e Parlamentit. Të presim