Jo pak shqiptarë që janë paraqitur si refugjatë kosovarë e kanë marrë nënshtetësi britanike, po hasin një sërë problematikash, madje rrezikojnë edhe heqjen e nënshtetësisë. Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, Naim Hasani avokat i Gjykatës Supreme në Britani tregon të gjithë procedurën që duhet të ndjekin shqiptarët për të mos u prekur nga një vendim i tillë. Ai thekson se janë dy kategori që shpëtojnë nga heqja e nënshtetësisë dhe më tej qartëson se emigrantët tanë duhet të plotësëojnë një formë të quajtur RR dhe bashkë me vendimin dhe certifikatën e shtetësisë Britanike tia dërgojnë departamentit të korrektimit të shtetësisë me një pagese prej £250. Ndërkohë më rastet kur vjen vendimi për heqjen e shtetësisë, personat në fjalë kanë të drejtën e apelimit në gjykatë brenda një afati 14 ditor dhe do të jenë gjykatat ato që do të thonë fjalën e fundit.
Si e vlerësoni fenomenin e marrjes së nënshtetësisë britanike nga ana e shqiptarëve që kanë mashtruar lidhur me identitetin e tyre dhe janë prezantuar si refugjatë kosovarë?
Shqiptarët me banim në Britani që kanë ardhur vetëm apo me familjet e tyre përpara, gjatë ose pas luftës së Kosovës dhe kanë kërkuar azil duke mashtruar se ishin refugjatë nga Kosova dhe nëpërmjet këtij mashtrimi kanë përfituar leje të përhershme qëndrimi dhe shtetësi britanike, kanë pritur që nga viti 2007 me shumë ankth, çfarë do të ndodhë me ta dhe si do të zgjidhet përfundimisht çështja e tyre dhe familjarëve të tyre. Që nga viti 2008, kam pasur nderin dhe detyrimin ligjor, moral dhe kombëtar të përfaqësoj shqiptarët e prekur nga ky fenomen që është masiv nëpër shqiptarët e Britanisë.
Çfarë mund të thoni lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2017-të?
Në 21 Dhjetor 2017, pas 10 vitesh betejash ligjore në të gjitha shkallët e drejtësisë britanike, Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar mori vendimin unik në historinë gjyqësore, duke deklaruar se vendimet e Ministrisë së Brendshme Britanike për shpalljen të pavlefshme dhe anullimin e plotë të shtetësisë britanike për shqiptarët që kishin mashtruar duke pretenduar se ishin refugjatë nga Kosova, të cilët në fakt ishin nga Shqipëria dhe duke deklaruar se ata dhe familjarët e tyre nuk kishin qënë, nuk ishin dhe nuk do të ishin shtetas Britanikë, ishin të paligjshme dhe po ashtu vendosi që ata që e kishin humbur shtetësinë t’u kthehej mbrapsht. Baza ligjore e vendimit ishte shumë e thjeshtë. Ata nuk kishin marrë identitetin e askujt por i kishin dhënë vetes një identitet që nuk e kishin pasur më parë dhe plotësisht fiktiv. Vendimi i Gjykatës Supreme Britanike sanksionoi njëherë e përgjithmonë se të gjithë fëmijët që kanë lindur nga dita që shqiptarët që kanë mashtruar por jo vetëm, kanë marrë shtetësinë Britanike, pavarësisht identitetit në të cilin e kanë përfituar, janë automatikisht qytetare britanikë dhe kudo që ndodhen, në Britani, Shqipëri apo në çdo vend të botës, kanë të drejte të marrin Pasaporten Britanike, me kusht që duhet të provojne qe prindi i tyre biologjik ka qënë me shtetësi Britanike në diten e lindjes së tyre.
Si duhet të veprojnë prindërit që janë bërë me fëmijë në Britani por në atë kohë nuk kanë pasur nënshtetësi britanike?
Në këto kushte, çdo shqiptar që është bërë me fëmijë pasi ai ose ajo ka përfunduar shtetësinë Britanike, duhet të aplikojne për pasaporta për ta, pavarësisht se ku jetojnë fëmijët aktualisht. Për këtë është e këshillueshme të kërkojnë ndihmë ligjore të specializuar sepse procesi është kompleks, sidomos në rastet kur të dhenat personale si emri, mbiemri dhe ditëlindja e prindit janë ndyshe në Pasaportën e prindit dhe në certifikatën shqiptare të lindjes së fëmijës. Procesi merr deri në 6 muaj për t’u pajisur fëmija me pasaportë. Prindi gjithsesi duhet të jetë i vetëdijshëm kur e merr këtë vendim se Ministria e Brendshme Britanike do të filloje procedurat për heqjen e shtetësisë Britanike sepse do të informohen për identitetin e vërtetë nëpërmjet aplikimit të fëmijës për pasaportë.
Cilat janë masat që merren nga Ministria e Brendshme Britanike për mashtrime të tilla?
Që nga koha e vendimit të Gjykatës Supreme, duke parë kohën e gjatë që nga kryerja e veprave penale të mashtrimit për marrjen e lejes së qendrimit, shtetësisë dhe pasaportës Britanike (vepër ligjërisht e dënueshme deri në 5 vjet burg), Ministria e Brendshme aktualisht nuk po procedon më me dënime me burg për krime të tilla. Tanimë politika që po ndiqet nga Ministria e Brendshme është qartësuar. Kështu për të gjithë personat që posedon informacion zyrtar ndërshtetëror se kanë mashtruar duke u deklaruar si Kosovarë, Ministria e Brendshme ju dërgon leter nëpërmjet departamentit të heqjes se shtetësisë ku ju bën të qartë informacionin që disponon për identitetin e vërtetë të personit dhe ju kërkon që brenda 21 ditëve të konfirmojnë identutetin e vërtetë, të shpjegojnë arsyet pse kanë mashtruar dhe të paraqesin arsyet pse të mos u hiqet shtetësia dhe të tregojnë me dokumenta çfarë jete kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve në Britani dhe nëse ju hiqet shtetësia, pse të mos i kthejnë në Shqipëri. Është e domosdoshme që nëpërmjet përfaqësuesve të kualifikuar ligjorë për çështjet e shtetësisë ti kthehet përgjigjia brenda afatit të caktuar.
Në disa raste ndodh që në të njëjtën kohë me letrën e mësipërme ose më përpara, zyra e pasaportave të dërgojë një letër që konfirmon anullimin e pasaportës Britanike për arsye se përmban informacion me identitet fallco. Në këto raste nuk mund të udhetoni ose të përdorni Pasaportën si dokument identifikimi, deri në momentin kur të konfirmohet me vendim nga departamenti i shtetësisë që do të qëndroni shtetas Britanik pavarësisht mashtrimit.
Kur merret vendimi lidhur me konfirmimin e nënshtetësinë britanike?
Pasi ti jeni përgjigjur letrës brenda afatit 21 ditor, departamenti i shtetësisë do të marrë një vendim përfundimtar brenda afatit rreth 3 deri 20 muaj nëse do të vazhdoni të qendroni shtetas Britanik apo jo.
Cilat janë kategoritë që përjashtohen nga heqja e nënshtetësisë britanike?
Politika aktuale e heqjes së shtetësisë për shkak të mashtrimit, përjashton nga heqja e shtetësisë të gjithë ata persona që kanë marrë lejen e përhershme të qëndrimit (indefinite leave to remain in the UK) si rezultat i amnestisë së familjeve në vitet 2003 dhe 2004. Po ashtu, në pergjithësi, të gjithë ata persona që kanë qënë nën moshën 18 vjeç në kohën kur kanë marrë lejen e përhershme të qëndrimit përjashtohen nga heqja e shtetësisë. Po ashtu nga Tetori-Nëntori 2019 Gjykata e shkallës së dytë në Londer (Upper Tribunal) do të marre një vendim tjetër të rëndësishëm por që ka mundësi të pranohet nga departamenti i shtetësisë edhe më heret, që të gjithë ata persona që kanë marrë shtetësinë Britanike para dates 20 Gusht 2014 dhe kanë jetuar në Britani 14 vjet para asaj date dhe Ministria e Brendshme ka qënë në dijeni të mashtrimit të tyre, duhet të qëndrojnë shtetas Britanikë. Në të gjitha këto raste, departamenti i shtetësisë në fund të hetimeve ju dërgon një letër vendim personave në fjale, ku ju konfirmon se pavarësisht mashtrimit të kryer, për arsye të rrethanave personale ata do të vazhdojne të qëndrojnë shtetas Britanikë. Në letër ju kërkohet të plotesojnë një formë të quajtur RR dhe bashkë me vendimin dhe certifikatën e shtetësisë Britanike tia dërgojnë departamentit të korrektimit të shtetesisë me një pagese prej £250.
A mund të ankimojnë vendimin mbi heqjen e nënshtetësisë, emigrantët shqiptarë në Britani?
Në rastet kur ju vjen vendimi për heqjen e shtetësisë, personat në fjalë kanë të drejtën e apelimit në gjykatë brenda një afati 14 ditor dhe do të jenë gjykatat ato që do të thonë fjalën e fundit. Deri atëherë të gjithë këta persona do të vazhdojnë të jenë shtetas Britanikë dhe çdo fëmijë që ata lindin deri atëherë është shtetas Britanik automatikisht. Në rast se fitojnë gjyqet të cilat zgjasin me muaj të tërë, atëherë ata mbeten shtetas Britanikë në identitetin e vërtetë. Nëse i humbasin gjyqet, atëherë Ministria e Brendshme lëshon urdhrin përfundimtar të heqjes së shtetësisë. Nga ai moment personi në fjalë nuk është më shtetas Britanik dhe departamenti i shtetësisë brenda një periudhe 8 javë deri 6 muaj duhet të marrë vendim në përgjithësi për ata persona që kanë një kohe të gjatë këtu dhe që në shumicën e rasteve kanë femijë me nënshtetësi britanike që tu japë leje të përkohshme qëndrimi për 30 muaj në identitetin e vërtetë, e cila rinovohet 4 herë dhe pas 10 vitesh marrin lejen e përhershme të qëndrimit dhe pas 11 vitesh aplikojnë për shtetësi Britanike./GSH