Pasi dekorimit që presidenti Meta i bëri ambasadores greke Eleni Sourani, ka ardhur edhe reagimi i partisë ‘Zgjidhja’ e drejtuar nga Koço Kokëdhima,
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, ‘Zgjidhja’ e dënon motivacionin e këtij dekorimi, teksa shprehet se ambasadorja Sourani ka punuar kundër marrëdhënieve të mira, mes shtetit tonë dhe atij grek.
Partia e udhëhequr nga Koço Kokëdhima kërkon që presidenti ta tërheqë këtë dekorim, të cilin e quan një turp që i bëhet emrit të figurës më të rëndësishme historike të Shqipërisë, duke dekoruar të huaj që kanë punuar kundër saj.
Deklarata e plotë:
Partia ‘Zgjidhja’ e dënon dekorimin e diplomates greke dhe motivacionin për të. Për fat të keq të historisë dhe të lidhjeve të shumta miqësore dhe ekonomike mes dy vendeve dhe dy popujve që kanë ndarë hallet me njëri-tjetrin, ambasadorja Sourani, ka punuar për të kundërtën gjatë mandatit të saj në Shqipëri.”- thuhet në deklaratë ku theksohet se ambasadorja duhej përzënë dhe jo dekoruar. ZGJIDHJA i bën thirrje kreut të shtetit që të reflektojë dhe ta tërheqë urgjentisht këtë turp që i bëhet emrit të figurës më të rëndësishme historike të Shqipërisë, duke dekoruar të huaj që kanë punuar kundër saj. Shqipëria duhet të ketë marrëdhënie miqësore, korrekte dhe të barabarta me Greqinë si dy vende fqinje, sepse jemi dy popuj miq që kemi ndarë të mira dhe të këqija, por kurrsesi nuk duhet të lejojë cenimin e kufijve, integritetit territorial të Shqipërisë apo varrosjen e Çështjes Çame, që është themelore për të drejtat njerëzore të shqiptarëve të Çamërisë.