Jorida Tabaku, kandidatja e Partisë Demokratike për deputete në listën e hapur në qarkun e Tiranës, është emri më i votuar në të gjithë vendin në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ajo ka arritur të mbledhë mbi 20 mijë vota, duke u renditur e para ndër 140 emrat e rinj që do të përbëjnë përbërjen e re të Parlamentit të Shqipërisë.
Tabaku ka marrë mbështetje masive si nga votuesit brenda vendit, ashtu edhe nga diaspora. Në një postim në Facebook, ajo ka shprehur mirënjohje të thellë për qytetarët dhe demokratët, duke theksuar se sfida e saj nuk ishte e lehtë.
“Falenderime pa fund për këdo që më votoi, që më mbështeti dhe që ishte me mua në këtë sfidë të radhës, e cila për të thënë të drejtën nuk ishte aspak e lehtë.
Mirënjohje çdo demokrati që punoi, trokiti në çdo derë dhe më shoqëroi në çdo ecje e në takime që nisnin në agim dhe përfundonin në mbrëmje, duke bërë të mundur që sot të kem këtë mbështetje!
U jam pafund mirënjohëse të gjithë demokratëve; anëtarëve, aktivistëve, komisionerëve, numëruesve, drejtuesve lokalë. Ju jeni Partia Demokratike!
Së fundmi, falenderime nga zemra për familjen time; Saimirin dhe fëmijët, mamin, babin, Fisnikun dhe Lornën, si dhe familjen e madhe që ishte me mua deri në votën e fundit.
Fatkeqësisht nuk arritëm dot të sjellim rotacionin politik aq të nevojshëm për Shqipërinë, pasi ky sistem prodhoi edhe një garë të brendshme shpeshherë të padrejtë. Por përgëzime për të gjithë, veçanërisht për kolegun Alimehmeti, me të cilin ndamë sprintin e fundit të kësaj gare, për fushatën dhe mbi të gjitha, për qytetarinë.”