Në të gjitha mediat e botës është bërë kryelajm deklarata e presidentit amerikan Donald Trump se dëshiron ta blejë Groenlandën, ishullin më të madh në botë, shkruan Business Insider. Por nëse ai ka vërtetë një ambicie të tillë, para tij ekzistojnë shumë barriera. E para, Groenlanda në të cilën jetojnë 56 mijë banorë, qartë kanë deklaruar se nuk është në shitje, transmeton Telegrafi.
“Groenlanda është e pasur me resurse natyrore siç janë mineralet, uji i pastër, akulli, peshku dhe burime për energji të ripërtërishme dhe së fundmi është bërë destinacion i preferuar për turistë që kërkojnë aventura. Jemi të hapur për bashkëpunim, por jo edhe për shitje”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ministria e Punëve të Jashtme e këtij vendi. Groenlanda është pjesë e mbretërisë së Danimarkës, kurse politikanët në Kopenhagë në një farë mënyre janë tallur me idenë që SHBA-të ta blejnë këtë ishull të shumëpërfolur.
“Shpresojmë që bëhet fjalë për ndonjë shaka, pasi një ide e tillë është groteske”, ka deklaruar Martin Lidegaard, kryetari i Këshillit danez për politikë të jashtme. Sipas tyre, tani që jemi në vitin 2019 është paksa e kuptimtë që një shtet të propozoj blerjen e një shteti, tjetër sikur në kohën e kolonializmit.
Megjithatë, Danimarka në të kaluarën kishte shitur një pjesë të territorit SHBA-ve në vitin 1917, Ishujt Virxhin të SHBA-ve që dikur njiheshin si “Danish West Indies”. Gjithashtu, Trump nuk është presidenti që tenton që ta blejë Grenlandën. Ish-presidenti amerikan Harry Truman i cili i kishte ofruar Danimarkës në vitin 1946, ari në vlerë prej 100 milionë dollarë që i bie afro 1,3 miliardë dollarë krahasuar me vlerën e sotme. Megjithatë, oferta e tij në fund ishte refuzuar, edhe pse SHBA-të kishin arritur marrëveshje për ndërtimin e një baze ushtarake në Grenlandë.
Sot Groenlanda është në qendër të vëmendjes për shkak të krizës së ndryshimeve globale klimatike dhe shtrihet në një pozicion të rëndësishëm gjeopolitik mes Atlantikut dhe Arktikut, dhe ka sasi të madhe të resurseve natyrore. Vështirë është të thuhet se sa kushton Groenlanda pasi vlerësime zyrtare për një gjë të tillë nuk ekzistojnë, por bazuar në atë sesa SHBA-të kanë paguar territoret tjera që i ka blerë mund të përcaktohet një shumë paksa e afërt.
Në fillim të shekullit të 19-të, SHBA-të kishin blerë Louisianan nga Franca që ka një territor të përafërt me të Groenlandës, dhe për të kishte paguar 340 milionë dollarë të sotëm. Por është e rëndësishme të ceket që Franca asokohe bëhej gati për luftë me Britaninë e Madher dhe patjetër kishte nevojë për para, kështu që kjo shitje konsiderohet si një nga më të përfolurat në histori.
Megjithatë është vështirë të mendohet që Danimarka ta ketë konsideruar shitjen e këtij ishulli për një çmim të tillë, shkruan Business Insider. Kah mesi i shekullit të 19-të, Rusia i kishte shitur SHBA-ve, Alaskën, paksa më e vogël sesa Groenlanda dhe Louisiana, dhe atë për 125 milionë dollarë të sotëm, që gjithashtu konsiderohet një shumë e vogël për tregun e sotëm.
GDP-ja e Grenlandës sillet rreth 2,7 miliardë dollarë, kështu që oferta e Trumanit nga viti 1946 sigurisht se do të konsiderohej si shumë e vogël. E Washington Post ka vlerësuar se ishulli do të mund të kushtonte afro 1,7 trilion dollarë.
Në anën tjetër Trump pritet që gjatë shtatorit ta vizitojë Danimarkën për herë të parë, që kur ka ardhur në krye të Shtëpisë së Bardhë. Por edhe pse vizita e tij nuk ka lidhje me propozimin për Groenlandën, ekziston mundësia që edhe kjo temë të gjendet në tavolinë.