Në sajë të operacionit të koduar “Credit Card Fraud”, në pranga janë vënë dy shtetas si dhe është proceduar një tjetër. Nga ana e policisë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale karta krediti të klonuara, dhe pajisje të tjera që shërbenin për klonimin e kartave.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi i shtetasve A. B., 37 vjeç, banues në Rumani; C. M., 41 vjeç, banues në Rumani, si dhe u procedua penalisht L. C., 38 vjeç, lindur dhe banues në Rumani. Këta shtetas dyshohet të jenë përfshirë në veprimtari kriminale të paligjshme.
Deklarata
Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor “Credit Card Fraud”, në fushën e krimit kibernetik
Arrestohen 2 shtetas si dhe procedohet penalisht 1 tjetër.
Sekuestrohen karta krediti të klonuara dhe pajisje të tjera që shërbenin për klonimin e kartave.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizoi operacionin policor “Credit Card Fraud”, në funksion të procedimit penal të vitit 2019, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi i shtetasve: A. B., 37 vjeç, banues në Rumani; C. M., 41 vjeç, banues në Rumani; si dhe u procedua penalisht L. C., 38 vjeç, lindur dhe banues në Rumani;
Shtetasit e mësipërm dyshohet të jenë përfshirë në veprimtari kriminale të paligjshme, që ka ndodhur në këto rrethana: Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, një bankë shqiptare e nivelit të dytë ka bërë kallëzim penal se në ATM-të e saj persona të paidentifikuar kanë përdorur 10 karta të klonuara kanadeze dhe të Britanisë së Madhe. Departamenti i kartave informon se procesori i tyre ka dhënë alert për disa veprime të dyshimta të kryera në ATM-të e kësaj banke.
Nisur nga kallëzimi i bërë, Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë regjistroi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë procedimin penal që u ndoq me metoda speciale të hetimit për dy javë . Si rezultat i veprimeve të kryera, këqyrjes së pamjeve filmike dhe sistemit të hyrje daljeve, u identifikuan dy persona dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare në Qafë Thanë u bllokuan dhe u shoqëruan së bashku me shoferin e mjetit, me të cilin ata qarkullonin.
Nga veprimet hetimore u arrestuan shtetasit A. B. dhe C.M., ndërsa shtetasi L.C., u procedua penalisht në gjendje të lirë. Gjatë kontrollit të këtyre shtetasve, u gjendën dhe u sekuestruan si prova materiale sendet e mëposhtme: 3 telefona të markave të ndryshme; 8 karta të ndryshme bankare; një sasi parash; pajisje për shkrues kartash magnetike dhe një laptop.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.