Drejtuesja e tatimeve, Delina Ibrahimaj ka bërë një bilanc të aksioneve kundër informalitetit të kryera në terren. Sipas këtij raporti, vetëm në 20 ditët e fundit janë konstatuar me shkelje 367 subjekte nga 1064 që janë kontrolluar në total.
Administrata tatimore shprehet se lufta kundër informalitetit nuk është një plan i përkohshëm masash, por vullnet i fortë i Qeverisë për të garantuar rregulla të barabarta në treg.
Nga ana tjetër, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, ka inspektuar disa subjekte në zonën e Lungomares në Vlorë. Ministrja Denaj kërkoi nga strukturat e Hetimit Tatimor që të vijohet me inspektime më të shpeshta, në të gjithë bregdetin jugor, duke filluar nga Divjaka deri në Ksamil, kryesisht në oraret ku aktiviteti ekonomik është më i lartë dhe ka më shumë mundësi që të konstatohen parregullsi ligjore.
Mësohet se deri në fund të vitit, do të kontrollohen 6200 subjekte, nga sektorët e evidentuar me risk të lartë si turizmi, ndërtimi, karburantet etj. Por aksioni kundër informalitetit do të përfshijë çdo subjekt, që prish konkurrencën e ndershme në treg.