Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi u ka dhënë urdhër të prerë shkollave ditën e sotme duke theksuar se objektet në fjalë nuk duhet të aksesohen nga persona dhe institucione të paautorizuar.
“Meqenëse objektet shkollore janë asete në pronësi të Bashkisë Shkodër dhe administrohen si territore nga Bashkia Shkodër, këto objekte nuk duhen të aksesohen nga persona dhe institucione të paautorizuar nga Bashkia Shkodër për të hyrë në këto objekte”, deklaroi ajo.
Ademi përmes shkresës zyrtare, duke iu referuar shkollave ka pohuar se “përgjegjësia juaj është administrimi dhe mirëorganizimi i procesit mësimor dhe jo administrimi i objektit”.
Kujtojmë se në shkollat “Azem Hajdari” dhe “Xheladin Fishta” janë ngritur KZAZ-të si në zgjedhjet e mëparshme, gjithashtu edhe në Pallatin e Sportit, i cili është në pronësi të Bashkisë Shkodër.