Nga Henry Olsen, “The Washington Post”
Presidenti Donald Trump, nuk duhet ta etiketonte “dështak” kryebashkiakun e Londrës, Sadiq Khan, kur vizitoi këtë javë Britaninë e Madhe. Por as Khan, një anëtar i Partisë Laburiste të krahut të majtë, nuk duhej ta krahasonte Trumpin me një nga “fashistët e shekullit XX-të”, sepse ai nuk është i tillë.
Të quash kundërshtarët politikë me epitetet më të rënda, është një nga truket më të vjetra në manualet e politikës. Këtë e kanë bërë edhe burrështetasit më të mëdhenj në botë. Kryeministri britanik, Winston Churchill, përballë një sfide të fortë nga Partia Laburiste, vetëm disa javë pas kapitullimit të Gjermanisë naziste në vitin 1945, tha se nëse Laburistët do të vinin në pushtet do ta shtypnin në mënyrë të pashmangshme lirinë, dhe do të instalonin “ndonjë formë të Gestapos” në vend.
Politikanët e majtë, i kanë quajtur konservatorët “fashistë” që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Këtë e ka bërë edhe Ronald Reagan. Kur ai i dha ikonës së konservatorëve Barry Goldwater Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 1986, Goldwater vërejti në një telefonatë me presidentin, se Reagan e kishte quajtur “fashist” kur ishin takuar për herë të parë. (Reagan asokohe ishte liberal).
Por vetëm pse një fjalë është e ekzagjeruar, nuk e bën më pak të dëmshme apo të vërtetë. Fashizmi është një filozofi totalitare, që e kundërshton drejtpërsëdrejti demokracinë. Ai argumenton, se kombi, siç mishërohet tek shteti, është suprem. Fashistët argumentojnë më tej, se vetëm një parti mund të përfaqësojë të gjithë kombin dhe drejtojë shtetin. Zgjedhjet e lira, liria e fjalës dhe tregjet e lira, duhet të zhduken.
Kjo është pikërisht ajo që bënë “fashistët e shekullit të XX-të”. Brenda tre muajve nga ardhja e tij në pushtet, Adolf Hitleri zhduku të gjitha partitë politike konkurrente në Gjermani. Benito Mussolinit, i`u desh më shumë kohë për të zhdukur format e demokracisë, por e mori pushtetin diktatorial nga parlamenti italian, gati menjëherë pasi u bë kryeministër.
Që të dy e shtypën pa mëshirë shtypin, duke i vendosur mediat e mëdha nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e qeverisë. Fashistët e shekullit XX, e shtrinë pushtetin shtetëror edhe në ekonomi. Prona private u respektua sa për formë, por industrialistët, bankierët, sindikatat dhe të tjerët, vepruan në përputhje me koordinimin e qeverisë, dhe sipas planeve të qeverisë. Individët mund të pasuroheshin nën fashizmin, por vetëm me miratimin dhe ndihmën e shtetit.
Krahasoni këto regjime me SHBA-në e Trump. Ne të gjithë i kujtojmë ditët e frikshme të regjimit të hershëm, kur një autokrat në ngritje kërkonte fuqi të pakufizuar, dhe një Kongres i dominuar nga republikanët, ishte i gatshëm t’ia jepte. Ditët e para mediat e financuara nga disa korporata të mëdha shtetërore u mbyllën, dhe gazetarët e respektuar u pushuan nga puna apo u burgosën.
Këshillat ekonomike kombëtare, planifikuan të organizonin biznesin e SHBA për të arritur “një mobilizim të ri kombëtar, social, industrial dhe ekonomik, në një shkallë që nuk shihej që nga Lufta e Dytë Botërore dhe epoka e New Deal”, duke trazuar tregjet rreth globit. Trumpizmi mbërriti në çdo cep të jetës kombëtare.
Apo ndoshta nuk i kujtojmë këto gjëra. Për shkak se ato nuk kanë ndodhur kurrë. Përkundrejt zhdukjes së demokracisë, ne kemi parë postime zemërake të presidentit rreth disa mediave që janë ‘armiku i popullit”. Në vend të përqendrimit të pushtetit politik në duart e një njeriu, ne kemi një Shtëpi të Bardhë kaq të çorganizuar, sa që njerëzit aty brenda refuzojnë hapur dëshirat e presidentit.
Në vend të centralizimit ekonomik, ne patëm një kapitalizëm turfullues- falë shkurtimit të taksave të vitit 2017. Dhe ne patëm zgjedhjet e mesit të mandatit, ku opozita mobilizoi një pjesëmarrje të lartë record, dhe fitoi sërish kontrollin e Kongresit. Ne nuk ramë nën fashizëm, por patëm një shfaqje të vrazhdë të një shou televiziv, si në serialin “West Wing”.
Dikush mund të thotë se fashizmi modern është i ndryshëm, dhe që e mbulon prenë e vet në dorashkat e kadifenjta, në vend se ta shtypë me dorezë hekuri. Por edhe ata liderë botërorë që ndoshta po krijojnë një fashizëm më të moderuar, po ndërmarrin masa për të konsoliduar pushtetin e tyre politik dhe ekonomik.
Vladimir Putin në Rusi, është ndoshta shembulli më i mirë i fashizmit modern në veprim. Ashtu si fashistët e dikurshëm, ai lavdëron kombin (partia e tij quhet “Rusia e Bashkuar”) dhe e barazon popullin – domethënë, njerëzit – me shtetin, domethënë qeverinë. Ashtu si fashistët e vjetër, ai identifikon veten me shtetin, dhe e portretizon qëndrimin e tij në detyrë si thelbësor për mirëqenien e kombit.
Ai ka vënë nën kontroll mediat, direkt ose nëpërmjet oligarkëve aleatë, dhe opozita politike është e shtypur. Përmes përndjekjes selektive dhe vdekjeve të herëpashershme misterioze, rivalët e mundshëm e marrin mesazhin se çfarë i pret nëse i fusin shkopinj në rrota.
Ai po e sundon Rusinë në një mënyrë absolute prej gati 20 vjetësh. Trump është i vrazhdë dhe i pasjellshëm. Ai shpesh është i pakujdesshëm, dhe i pavërtetë.
Ai është në rastin më të mirë, një racist i pandjeshëm, dhe ka dëshmuar një shpërfillje shqetësuese gjatë gjithë jetës së tij për ndjenjat e grave, ndaj të cilëve është tërhequr seksualisht. Asnjë nga këto tipare nuk është i lavdërueshëm, por asnjë prej tyre nuk e bën atë një fashist të shekullit XXI-të.
Ai nuk është fashist, por një dhunues. Ky është tipari i tij më e spikatur, pozicioni i tij i preferuar. Por, po kështu ishte dikur edhe presidenti ynë i 36-të, Lyndon B.Johnson. Edhe LBJ ishte gjithashtu i paedukatë dhe i vrazhdë, arrogant dhe impulsiv, dhe gënjeshtar mbi shumë aspekte të Luftës së Vietnamit. Që të dy burrat, janë lloji i njerëzve që shmangen me elegancë nga një shoqëri e sjellshme. Por, asnjëri prej tyre nuk është fashist. Demokracia i mbijetoi LBJ. Ajo do t’i mbijetojë edhe presidencës Trump./ Përktheu për Tirana Today, Alket Goce