Në kuadër Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve “1 Qershorit”, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka lançuar nismën më të fundit, atë të krijimit të “Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë”.
Prezantimi u bë nga Ministrja Besa Shahini në një aktivitet festiv të organizuar në sallën e amfiteatrit të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë para dhjetëra nxënësve, mësuesve e drejtuesve të shkollave 9-vjeçare e të mesme të ardhur nga të gjitha bashkitë e vendit.
Shahini theksoi rëndësinë e veçantë që MASR i kushton fëmijëve e të rinjve të Shqipërisë.
“MASR punon për fëmijët e të rinjtë dhe duam që zërat e tyre të dëgjohen e të reflektohen në politikat tona”, u shpreh ajo.
Teksa nënvizoi se zgjedhjet e para të këtij parlamenti do të bëhen në vjeshtën e ardhshme me fillimin e vitit të ri shkollor, gjatë këtij aktiviteti themelues u ngritën edhe disa prej temave kryesore të reflektuara prej vetë të pranishmëve: a) kujdesi për shëndetin mendor të nxënësve, b) lufta kundër bullizmit dhe c) përfshirja më e madhe e nxënësve në proceset e vendimmarrjes.
Në fokus primar të “Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë”, i cili do të shërbejë si një organ këshillimor pranë MASR, është zhvillimi dhe thellimi i çdo lloj politike që synon drejtpërdrejtë përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve në vend, rritja e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike, si dhe angazhimi i shtuar i tyre në vendimmarrje.