Mustafa Nano/ Për herë të fundit, Helena Kadarenë e kam takuar para tri ditësh, në një përurim libri që bëhej te hotel “Plaza”. Hyri në hollin e madh të katit të 23 e shoqëruar nga disa zonja të tjera dhe pastaj më humbi nga sytë. Më saktë, pamjen e saj ma zunë silueta njerëzish, kryesisht gra, që i afroheshin për t’i dhënë dorën. Se ç’ka një tërheqje të çuditshme ajo zonjë, që për mua është një nga më të fismet që kam njohur. Ka ditur të sillet e të shfaqet në publik me një skofi që rrallë e sheh në këtë botën tonë të dominuar nga sjelljet e vrazhda, deri edhe harbute, mbi të gjitha harbute, të cilave, edhe pse mund t’i kesh zët, nuk mund t’u shpëtosh dot.
Do të vijë se s’bën një çast, kur edhe ti, kushdo qofsh, vrazhdësinë do ta bësh tënden. Ne e kemi bërë të udhës që këtë vrazhdësi t’ua mveshim burrave, por edhe gratë e jetës publike nuk është se janë lodhur për të bërë diferencën. Jo, aspak. Ne nuk e themi këtë gjë, ngaqë ndoshta na duket se kështu do të ushqenim frymën patriarkale e mizogjinike në shoqërinë tonë, apo ngaqë duam të manifestojmë një shpirt kalorësiak, por e vërteta është e vërtetë: Të shumtat mes grave tona të jetës publike (apo pothuaj të gjitha?), kanë bërë çmos, një dreq e di për ç’arsye, të jenë gjithaq të vrazhda.
Helena Kadare mua më duket e një brumi tjetër, aq sa ndonjëherë më bëhet të besoj se ajo është rritur në ndonjë schloss, me kopshte plot lule, me dhoma të mëdha e të larta, me kujdestarë pallati a kështjelle që sillen rreth me frac e doreza të bardha, me njerëz që kanë bërë të tyret etiketën e manierat aristokratike, e jo në vendin ku jemi rritur edhe ne të tjerët. Dhe nuk është se ajo bën përpjekje për t’u dukur, apo për të qenë e tillë (këtu më vjen në mendje një frazë që e kam lexuar diku gjatë rinisë sime: nuk ka asgjë që të na pengojë për të qenë të natyrshëm më shumë sesa përpjekja për t’u dukur të tillë). Ajo është e tillë, gjë që e demonstron më së pari me skrupujt e elegancën (nuk di pse një botë aristokratike e kam lidhur gjithnjë në mendjen time më së pari me skrupujt e elegancën), me lehtësinë me të cilën ajo e ka mundur ngasjen për t’u bërë e rëndësishme, thënë ndryshe për të fituar famë, ndikim, pushtet, apo për të bërë bujë.
Dhe e bukura është se ajo e ka prodhuar në një farë mënyre atë, së cilës ka dashur t’i japë munxët: bujën. Për mua Helena është paradoksalisht një personazh i bujshëm. Njoh shumë pak njerëz në Tiranë që janë të aftë të bëjnë bujë me heshtjen e tyre në këto kohë kur protagonizmi nuk kuptohet dot pa praninë fizike e pa çaprashitjet në publik, dhe një nga këta pak njerëz është Helena Kadare. Mos vallë në këtë mes luan një rol fakti që ajo është e shoqja e …? Sigurisht. Por nuk është e lehtë të jesh gruaja e një burri të famshëm e të rëndësishëm. Në shumë raste kjo rrethanë është më shumë një nëmë sesa një bekim, thënë me fjalë të tjera, kjo rrethanë të jep shpesh më shumë parehati sesa avantazhe.
Të jesh gruaja e një burri të madh e të rëndësishëm është një përgjegjësi më vete. Burri i madh dhe i rëndësishëm nuk duhet të zhgënjejë në asnjë rast. Nuk duhet të zhgënjejë sidomos me gruan e tij. Hë, nuk është kjo një përgjegjësi e madhe për gruan? Për mua është një nga më të mëdhatë, ndoshta më e madhe sesa përgjegjësitë e vetë burrit. Prandaj, për ca e ca gra, që ndodhen gjithë kohën përballë “detyrës a detyrimit” për të qëndruar denjësisht në krah të personazheve të mëdha, kjo mund të jetë krusma e madhe e jetës së tyre. Por për Helenën nuk duket se ka qenë kështu. Ajo të jep përshtypjen se ky “status” nuk i ka dhënë tendosje a angështira. Përkundrazi e ka argëtuar. I ka dhënë gëzime e kënaqësira.
Ku e kisha fjalën? Ah, po, te takimi i para disa ditëve me Helenën. Në atë përurim libri kërkova një copë herë vështrimin e Helenës. Thjesht për ta përshëndetur. Por sytë nuk na u ndeshën. Të sajtë tërhiqeshin prej vëmendjes që i kushtonin njerëzit rrotull saj. Dhe kështu, pasi prita që njerëzit të rralloheshin, iu afrova për t’u takuar. “Nuk mund të ikja pa të dhënë dorën”, i thashë. Ajo buzëqeshi. Më la përshtypjen se i erdhi mirë prej gjestit tim. Dhe kjo gjë më bëri të ndihesha mirë. Merci madame!
Helenën, kuptohet, e kam takuar edhe më herët. Në takimin e parë me Kadarenë ishte e pranishme edhe ajo. Kisha dëgjuar të thoshin se ajo ishte hija e tij që nuk i shqitej, dhe prandaj prisja që t’i shihja të dy. Dhe ashtu ndodhi. “Nuk kish se si të ndodhte ndryshe / Të ndodhte ndryshe nuk kish se si.” Dhe më duhet të them se unë kisha për Helenën të njëjtën kureshtje që kisha edhe për të shoqin e saj. Edhe sepse ajo ishte shkrimtare, gjithashtu. Ose që ta bëj më të saktë pohimin, po them: ajo kishte qenë shkrimtare. Duhet t’i kisha lexuar diçka që herët, ndoshta novelën “Një lindje e vështirë”, ndonëse nuk mbaja mend diçka konkrete e nuk kisha një ide të qartë se ç’lloj shkrimtareje ishte. Por kishte kohë që nuk shkruante më.
“Në një moment kuptova se t’i rrija pranë Kadaresë, t’i kuroja shëndetin e punët, të shndërrohesha në një asistente e tij, ishte më e vlefshme sesa shkrimtarja me emrin Helena. Dhe pikërisht në këtë moment unë mora vendimin që të shkruaja më pak, ose të mos shkruaja aspak. Misioni im ishte ta bëja sa më efektive makinën letrare Kadare. Ishte një mision që më ishte ngarkuar nga dikush në Qiell.” Kam përshtypjen se Helena i ka thënë diku, dikur, këto fjalë. Jo pikërisht këto që futa brenda thonjëzave, në formën e një citimi, por diçka të përafërt a të ngjashme. Apo nuk është e vërtetë? Apo jam unë që, ngaqë kam dashur që ajo ta mbante këtë qëndrim, ia kam sajuar në kokën time? Hëm, nuk jam shumë i sigurt! Më ndodh ndonjëherë, ç’është e vërteta, që të marr për të vërtetë çfarë do të duhej, apo çfarë do të doja. Ndoshta edhe ky rast është i tillë.
Helena ka marrë që në krye të herës mbiemrin e të shoqit (ajo u bë personazh publik me këtë mbiemër) dhe nëse do të këmbëngulte të ishte shkrimtare, “damka” Kadare do t’i bëhej një barrë. Sepse është një mbiemër i rëndë për t’u mbajtur. Mund ta mbash pa problem një mbiemër të tillë nëse je marangoz, futbollist, ndoshta astronaut, CEO, filozof apo ku di unë, por jo shkrimtar. E përfytyroni ju dot një Picasso të dytë në pikturë? Apo një Bethoven tjetër në muzikë? Apo një Kubrick tjetër në kinema? As që mund të përfytyrohen, apo jo? Do të ishin shëmbëlltyra butaforike të të parëve. Dhe duhet të ketë qenë ky kompleks që e ka bërë Helenën të mos shkruajë më. Më saktë, të shkruajë shumë rrallë.
Libri më i fundit i saj është “Kohë e pamjaftueshme”. Është jetëshkrimi i saj (kur thuhet “i saj” nënkuptohet “i tyre”). Dhe është një libër i shkruar mirë, që lexohet me ëndje. Është një nga jetëshkrimet më të mira që janë publikuar në shqip. Unë kam vite që bëj çmos të mos lejoj t’ma diktojnë agjendën e leximeve agjentë të jashtëm, apo presione dosido të ditës (një nga gjërat që e marr shumë seriozisht në këtë periudhë të jetës sime është leximi; mund të jem i shkujdesur me çdo gjë që bëj, por jo me leximet), por mbaj mend që “Kohën e pamjaftueshme” e kam lexuar me një frymë.
Dhe në fund, ndonëse libri është me shumë faqe, ndjeva se do të kisha dashur të kishte edhe më shumë. Dhe nuk ka lidhje thjesht me faktin që argumenti është tërheqës (jeta e një prej çifteve dhe familjeve më të rëndësishme të Shqipërisë), por edhe me mënyrën e të shkruarit. Helena e ka shkruar me një stil të qetë, të thjeshtë, të pangarkuar, tërheqës. Unë do t’ua sugjeroja të gjithëve ta lexonin këtë libër. Edhe sepse, në fund, përveçse do të informohen mbi jetën e Ismailit e të Helenës, do të shohin aty edhe një fotografi të mirë të regjimit komunist. /Liberale.al