Qiratë e larta të apartamenteve, kanë bërë që mijëra qytetarë gjermanë të dalin në shesh për të protestuar. Çmimet në krahasim me dekadën e fundit janë dyfishuar, shkak i së cilës ka sjellë edhe revoltën nga ana tyre.
Protestat përveçse në sheshin e Berlinit janë raportuar në Këlni, Mynih dhe Frankfurt. Nismëtarët e kësaj proteste u shprehën se numri i demonstruesve arriti mbi 40 mijë.
Firmat imobiliare të cilat përfitojnë nga prurjet e huaja dhe nga bumi ekonomik kanë rritur edhe çmimin e qirave, për këtë arsye protestuesit kërkuan shtetëzimin e rreth 250 mijë apartamenteve të zotëruara nga kompanitë private që kanë portofolin më të madh të pasurive të patundshme në vend.
Debati për shtetëzimin e apartamenteve private është kritikuar si tejet ideologjik e madje kthim në socializëm nga kundërshtarët e lëvizjes, ndërsa realizimi i projektit vlerësohet se do të kushtonte rreth 30 miliardë euro.
Organizatorët nuk janë ndalur vetëm tek protesta, por kanë lajmëruar se do të nisin një peticion me 20 mijë firma dhe një referendum popullor për t’ja përcjellë administratës së Berlinit, në rast askush nuk i merr parasysh kërkesat e tyre. Në qendrën e kryeqytetit gjerman qiratë e apartamenteve lëvizin nga 840 euro deri në 1.900 euro për muaj për apartamentet më të vogla, dhe janë 20 për qind më të larta nga viti i kaluar. Në Gjermani statistikat tregojnë se 48 për qind e banorëve jetojnë në një apartament me qira, ndërsa pjesa tjetër e kanë blerë me financat e tyre.