“Bloombergview”
Çlirimi muajin e kaluar i pjesës së fundit të territorit që dikur përbënte Shtetin Islamik, është i denjë për t’u festuar. Lufta për ta arritur këtë kërkoi më shumë se 4 vite kohë, kërkoi vendosmërinë e shumë kombeve, dhe sakrifica të mëdha nga forcat pro-demokracisë në terren.
Por, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump, po rreh gjoksin e tij mbi këtë fitore, ai rrezikon të bëjë të njëjtin gabim si paraardhësit e tij, të cilët u nxituan të shpallnin fundin e misioneve luftarake amerikane në Irak. Në vend se të festojnë para kohe, Shtetet e Bashkuara duhet të fillojnë të kalojnë nga lufta, në menaxhimin e kërcënimeve – një detyrë më delikate e cila do të kërkojë durim, vëmendje të madhe, dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të forcave të koalicionit.
Duke e humbur bazën e saj territoriale, Shteti Islamik është në disa aspekte edhe më i rrezikshëm se më parë:I lirë nga përgjegjësia qeverisëse, ISIS mund të përqendrohet tashmë në rebelimin tradicional në formën e luftës guerrile, dhe akteve terroriste. Dhe grupimi ekstremist i ka si mjetet, ashtu edhe njerëzit në dispozicion për këto detyra. Madje që tani, ISIS ka shtuar sulmet vetëvrasëse në Irak.
Ndërsa luftëtarët e saj ikin nga territoret e çliruara, ata do të bartin markën e xhihadit në fushëbeteja të tjera. Shumë prej tyre, do t’u bashkohen grupeve të tjera terroriste në territoret që sot janë jashtë kontrollit shtetëror, si në Libi, Mali dhe Jemen.
Ata që mbeten në Siri, mund t’u bashkohen degëve të dikurshme të Al-Kaidës, që kontrollojnë ende provincën e Idlibit. Të tjerët, mund të përqëndrohen në eksportimin e terrorizmit jashtë vendit, veçanërisht në Evropë dhe Azi. Grupi ekstremist, pretendon të ketë kryer mesatarisht 11 sulme terroriste në ditë në vitin 2018.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, kanë një përvojë të konsiderueshme në luftën kundër forcave globale të xhihadit. Dhe shumë përparime janë shënuar, në ndërprerjen e rekrutimit dhe propagandës terroriste. Por sërish mbeten dy sfida të rëndësishme.
Njëra është të ruhet presioni ushtarak mbi luftëtarët e mbetur të Shtetit Islamik në terren. Duke lënë mënjanë deklaratat triumfale të Trumpit në rrjetet sociale, SHBA-ja ka nevojë të shmangë një tërheqje tepër të nxituar të trupave të saj. Përkundrazi, Pentagoni duhet të angazhohet në mbajtjen e një numri të madh forcash speciale në rajon, duke e lënë të lirë nga rregullat e angazhimit që ndalojnë operacionet sulmuese.
Së dyti, menaxhimi i kërcënimeve, do të kërkojë një diplomaci të shkathët. Uashingtoni dhe Evropa duhet ta shmangin një përplasje në terren mes Turqisë dhe kurdëve. Në Irak, SHBA-ja duhet të ushtrojë presion mbi qeverinë e mbizotëruar nga shiitët, që t’i japë pakicës sunite një pjesë të drejtë të pushtetit politik, dhe mundësi ekonomike për të dekurajuar mbështetjen ndaj radikalizmit islamik.
Dhe në Afganistan, negociatat për tërheqjen e trupave amerikane, duhet të bazohen në bindjet se talebanët do të vazhdojnë të zhdukin degët e Shtetit Islamik, dhe të garantojnë që Al-Kaeda të mos ketë sërish një strehë të sigurtë. Stërvitjet e përbashkëta të NATO-s me forcat afgane të sigurisë, duhet të zgjerohen derisa qeveria të jetë në gjendje të ruajë realisht rendin.
Asnjë nga këto nuk do të jetë e lehtë. Menaxhimi i suksesshëm i kërcënimeve, kërkon një përzierje të shkathtësisë diplomatike, forcës ushtarake, dhe mbi të gjitha përqendrimit në një periudhë afatgjatë. Lëvizja tjetër, shpallja e “misionit të përfunduar” dhe largimi, thjesht do të rriste koston e vendosjes së paqes./ Përktheu për Tirana Today, Alket Goci