Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi u është përgjigjur të gjithë atyre deputetëve të kësaj force politike, që shpresojnë se mund t’i mbajnë ende mandatet.
Deputeti u përgjigjet zërave se mund të ketë individë në listën shumë emërore të PD që mund t’i pranojnë mandatet, teksa sqaron se ato nuk janë personale, por vullnet politik i forcës që i ka propozuar.
Më tej, Boçi i kujton atyre që pretendojnë të marrin mandate se pas djegies vjen hiri, ndërsa paralajmëron se gremina është destinacioni i paracaktuar i këtyre personave që varen në mandate të deformuara.
Reagimi i plotë i Lucciano Boçit
PËRTEJ MANDATEVE
Ka shumë debat se si shkon puna me mandatet që janë në lista.
Një debat shterpë që stimulohet kinse nga ato që duan të mbajnë me gajret njerëzit e të gënjejnë demokracinë.
Mandati nuk është person.
Mandati është vullnet politik i zgjedhësit dhe shpreh mbështetje për ide e vizione politike.
Kur vullneti është i deformuar, për shkak të grabitjes, vjedhjes, blerjes ai nuk ka vlerë. Nuk ka as emër e as parti më. Ai digjet sepse ka djegur demokracinë, parlamentarizmin, të ardhmen.
Pas djegies vjen hiri. E pas tij dëshira e përkushtimi për të ndërtuar jetën dhe të mirën.
Kufomat politike që varen sot në mandate të deformuara, që ecin somnambul e që kafshojnë ç’të gjejnë përpara, janë zombit e fundit të epokës parapolitike që po kalojmë.
Gremina është destinacioni i paracaktuar i tyre.