Vijon bojkoti i mësimit nga ana e një grupi studentësh, të cilët insistojnë në plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria, por pa dialoguar me kryeministrin Rama.
Studentët kanë paralajmëruar se ditët në vijim do të jenë vendimtare, teksa në njoftimin e radhës shkruajnë se “është turp të hush në klasë pa plotësimin e kërkesave jetike studentore”.
“E gjithë Shqipëria e ka zemrën te ne. Fitorja jonë është ngadhënjim edhe për studentët e ardhshëm. Dorëzimi ynë do të jetë fundi i çdo shprese se ky vend mund të bëhet. Bojkot masiv! Çlirim i universitetit!”, shkruajnë ndër të tjera studentët.
Njoftimi:
Ne, studentët, kemi bërë hapa të paimagjinueshëm përpara. Në dhjetor gjunjëzuam qeverinë dhe krejt sistemi partiak të vendit. Dhe mbi të gjitha i dhamë shpresë mbarë popullit shqiptar.
Përpjekja jonë për universitetin tanimë ka hyrë në një fazë të re. Kemi kaluar nga protestat masive te bojkoti masiv dhe çlirimi i hapësirave universitare. Java që lamë pas ishte tejet e suksesshme. Bojkotimi i mësimit u shtri edhe në universitetet publike jashtë Tiranës. Në fakultete të ndryshme kanë nisur të mblidhen asambletë e pedagogëve, të cilat një e nga një po solidarizohen me ne dhe po kërkojnë rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë.
Kjo e hënë dhe ditët në vijim janë vendimtare. Askush nuk mund ta tradhtojë shansin historik të transformimit rrënjësor të universitetit. Është turp të hysh në klasë pa plotësimin e kërkesave jetike studentore. E gjithë Shqipëria e ka zemrën te ne. Fitorja jonë është ngadhnjim edhe për studentët e ardhshëm. Dorëzimi ynë do të jetë fundi i çdo shprese se ky vend mund të bëhet.
Bojkot masiv! Çlirim i universitetit!
STUDENTËT E BASHKUAR KANË PËR TË FITUAR!