Përplasjet mes Jozefina Topallit dhe Lulzim Bashës kanë qenë të shumta. Kohët e fundit, ish-kryeparlamentarja ka hedhur një sërë akuzash në drejtim të kryedemokratit, duke i përmendur edhe anëtarë të familjes.
Topalli, sipas statutit të Partisë Demokratike, është automatikisht anëtare e Këshillit Kombëtar, i cili ka mbajtur edhe mbledhjen konstituuese. Ajo nuk ishte e pranishme.
E pyetur për arsyet e kësaj mungese, Topalli ka konfirmuar se nuk ishte lajmëruar më herët.
“Nuk jam lajmëruar. Por edhe po të lajmërohesha, mua nuk më lidh asgjë me Lulzim Bashën, që e shkatërroi PD-në. Po të ishin mbledhur bashkë të gjithë armiqtë e PD-së, të 3 dekadave, nuk mund t’ i bënin kësaj force politike më keq seç i ka bërë Lulzim Basha për 4 vite”, ka thënë ajo për “Shqiptarja.com”.
Ajo e cilëson Këshillin Kombëtar të PD të dalë nga votimi i Kuvendit Kombëtar, si të paligjshëm, duke iu referuar procesverbalit të votimit ku rezultonin më shumë vota se delegatë.
“Pastaj Këshilli Kombëtar është i paligjshëm. Dëshmia me ironike e paligjshmërisë së saj është procesverbali i rezultatit, ku votat dalin më shumë se votuesit. Njerëzit e Ramës blejnë vota, kurse Luli nuk vjedh. Ai s’ka nevojë. Ka listën gati që më përpara. Ai nuk numeron votat”, thotë Topalli.