Pankartat e studentëve protestues, kanë qenë kryefjala e ditëve të fundit. Mesazhet goditëse ndaj politikës janë komentuar gjerësisht, dhe jo vetëm në rrjetet sociale. Ata i janë rikthyer Vettingut dhe çështjes së peshqve.
Në një pankartë të madhe të vendosur mbi kangjellat rrethuese të Ministrisë së Arsimit, studentët kërkojnë ndëshkimin e atyre që ata i quajnë “peshq të vegjël”, ndërsa shprehin shqetësime për emërimet e pedagogëve.
“Kush i emëron këta pedagogë me grada shkencore të marra kot? Mos vallë duhet buxhet për t’i kontrolluar?!
Fillojeni Vettingun me këta peshqit e vegjël, që na hanë ne, dhe ju premtojmë se nesër të mëdhenjtë do t’i kapim ne!
Bibliotekat janë sa për sy e faqe. Laboratorë s’ka. Kërkime shkencore jo e jo. Staf të korruptuar, eprorë totalitarë. Pedagogët e ndershëm shpërfillen”, shkruhet midis të tjerash në pankartë.