“Tirana-Mahnia” kështu titullohet libri parë i gazetares së njohur Rezarta Delisula. Por, në këtë rast nuk vjen në profesionin e vetë, përkundrazi vjen si ‘tironsja e vjetër’ për të na rrëfyer kryeqytetin. Në një botim me pesë pjesë, Delisula tregon transformimin e Tiranës, njerëzit, traditat, rrugët.
Me një libër për ata që nuk e kanë njohur Tiranën e shkuar dhe për ata që kanë nostalgji për qytetin e tyre.
“Titulli në fakt është një lojë fjalësh, ku kam kombinuar fjalën ‘mahnitje’ dhe ‘mani’, me pak fjalë; i dhënë pas Tiranës. Unë nuk është se jam kaq e fiksuar pas Tiranës, por mendoj që me punën time t’i sjell çdokujt një pjesë të historisë së qytetit.
Në Tiranën e djeshme jetohej siç jetohet sot, madje në vitet ’20 ishte një kryeqytet shumë liberal. Bëhej jetë nate si tani, madje dhe prostitucioni ishte i legalizuar në kohën e Zogut.
Burrat tiranasë vishnin borsalino, ndërsa gratë nuk mbanin brekushe, ishin më moderne. E vetmja gjë karakteristike në atë Tiranë ka qenë një shami e bardhë që gratë tiranase lidhnin flokët . Ndërkohë veshjet ishin shumë evropiane.
Sot jemi paralel me atë çfarë ndodh në Evropë. Edhe pse patëm një lloj lajthitje pak vite më parë, ku vajzat e reja vishnin taka shumë të larta për të shkuar në punë ose kur punonin si kameriere, e kështu të gjitha gocat dukeshin si sekretare.”
Edhe pse prej vitesh kryeqyteti i është futur shndërrimeve thelbësore, për Rezartën është e papranueshme nëse në të ardhmen e afërt nuk do të ketë më asgjë nga Tirana e vjetër. Sepse çdo gjë është duke u shkatërruar.
“Ajo që më mungon dhe do të doja të kisha është ruajtja e një zone elitare, siç është zona e vilave te Shkolla e Kuqe. Ato janë karakteristike të ndërtuara në vitet ‘20 dhe janë simbol i identitetit të Tiranës.
Rrënimi i simboleve të kryeqytetit
Teksa po mblidhja materialet për librin, më mbeti në mënd historia e Radio Tirana, që ka qenë e para në Shqipëri. Kur shkova të fotografoja godinën, pashë që ajo është drejt shembjes. Edhe ato simbole që ka pasur qyteti, po zhduken bashkë me zhvillimin.”
Zaptimi i tokave
Ishin vitet ’92 koha, kur në Tiranë filluan të vijnë masivisht të ardhur. Duke zaptuar kështu toka bujqësore, shtetërore, por edhe toka të pronarëve të vjetër. Ku sot e kësaj dite, kompensimi i pronave dhe legalizimet janë problemi kryesor i “tiranasve”, por edhe të ardhurve.
“Tirana i ka hapur dyert të ardhurve, në njëfarë mënyre edhe ua kanë marr, sidomos pas viteve ’90. Mbaj mend që një pjesë e ‘tiranasve’ i ruanin me armë tokat e tyre, fatkeqësisht ne nuk ruajtëm gjë me armë dhe na i morën. Mendoj që ishte një lloj dyndje dhe egërsie e shprehur dhe nga pamundësitë që kishin këta njerëz në qytetet e veta.
Banorët e Astirit të shfrytëzojnë ofertën e shtetit
Për ta lidhur pak edhe me situatën aktuale në zonën e Astirit. Unë jam shumë dakord me ndërtimin e Unazës së Madhe, por duke i dhënë atë që i takon atyre që janë me letra dhe ndihmuar me bonuse ata banorë të tjerë.
Ndërtimi i Unazës është një vepër e madhe publike, për të cilën qyteti ka nevojë, kështu do të marr frymë. Nuk mund të kufizohemi gjithmonë në atë idenë që nuk mund të prishim shtëpitë. Ato që janë pa leje, shteti po i jep një mundësi që të gjesh zgjidhjen tënde dhe të kesh një alternativë . Për sa kohë shteti e mban këtë premtim, atëherë banorët duhet ta shfrytëzojnë.” TIRANA TODAY