Largimi i bluzave të bardha nga vendi, kohët e fundit është kthyer në një shqetësim për sistemin shëndetësor dhe jo vetëm. Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherazi deputet i PD, Tritan Shehu, i ftuar në “Natë me Xhaxhiun”, tha se sistemi i shëndetësisë në vendin tonë është shumë larg Evropës, dhe më afër Afrikës Qendrore. Deputeti demokrat akuzoi qeverinë, ku sipas tij, e ka futur në një kolaps këtë sistem, duke e centralizuar dhe gllabëruar të paktën 25 milionë euro.
“Ky sistem shëndetësor është në nivelin e fundit në Evropë, për kujdesin për pacientin. Jo Evropën e Bashkuar, por gjithë Evropën. Duke e futur në këtë rrugë pa krye të shëndetësisë falas, e futen në një kolaps sistemin shëndetësor që gllabëron 25 milionë euro në vit, edhe me centralizimin shëndetësor që i bëjnë sistemit.
Në vitin 2012, një nga shkaqet që humbëm zgjedhjet ishte sistemi shëndetësor. Më shumë se gjysma e të ardhurave në shëndetësi janë paratë direkt, këto përbëjnë gjysmën e shpenzimeve më sistemin e shëndetësisë shqiptare, dhe ky është sistemi më antisocial që ekziston.
Po shkojmë gradualisht drejt sistemeve të Afrikës Qëndrore, ku ka abuzime të qarta shëndetësore. Shpenzimet për Check Up-in mund të shkojnë deri në 10 milionë në vit. Një skemë e tillë në audit, është një kosto shumë e lartë për një vend benefit shumë të vogël”, u shpreh ai.
Arsyeja madhore e largimit të mjekëve lidhet me pagat, tha më tej ai. “Është siptomë e lidhur me shumë elementë, është si pasojë e gjendjes katastrofale të rrogave”.