Komisioni Evropian ka propozuar lejimin e udhëtimit pa viza për qytetarët britanikë në zonën Shengen, pavarësisht nga marrëveshja e Brexit. Ndërsa thuhet se edhe Mbretëria e Bashkuar do ta lejojë një të drejtë të ngjashme për shtetasit e BE-së, raporton delano.lu.
Në një njoftim të botuar më 13 nëntor, komisioni bën të ditur se rregulli do të zbatohet për “qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore”.
Propozimi është bërë për të qartësuar bllokun, pasi vendet anëtare kishin filluar përgatitjen e rregullave të veçanta. Muajin e kaluar, për shembull, Franca paraqiti një projekt-ligj në parlament që do t’u kërkonte shtetasve Britanikë që të pajiseshin me viza për të hyrë në territorin e saj.
Sipas njoftimit thuhet:
“Ky propozim është pranuar edhe nga Britania e Madhe, duke lejuar gjithashtu udhëtimin pa viza reciproke dhe jo-diskriminuese për të gjitha vendet anëtare të BE-së, në përputhje me parimin e reciprocitetit të vizave. Qeveria e Britanisë së Madhe ka deklaruar qëllimin e saj për të mos kërkuar vizë për shtetasit e 27 vendeve anëtare të BE-së”.
Nëse arrihet një marrëveshje Brexit, propozimi i BE do të hyjë në fuqi në fund të periudhës së tranzicionit të rënë dakord midis Brukselit dhe Londrës.
Në rast se nuk arrihet një marrëveshje për Brexit, urdhri do të hyjë në fuqi më 30 mars 2019. Propozimi duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian. /TIRANA TODAY/