Banorët e Astirit kanë vijuar edhe sot me protestën, kundër prishjes së shtëpive të tyre, kjo në kuadër të projektit për ndërtimin e Unazës së Madhe në kryeqytet.
Ata po protestojnë sot përpara ambienteve të Bashkisë së Tiranës. Banorët kanë pasur një debat me policinë, për shkak se këta të fundit janë shprehur se protesta e tyre po zhvillohet pa leje.
”Po na provokoni, pse s’keni ardhur me na mbrojtë po na latë atje duke u përballur vetë me drejtuesit e mjeteve?! Qëkur duhet leje me mbrojtur pronën tonë”, kanë qenë disa nga thirrjet e banorëve.
Edhe më herët, ata kanë thënë se do t’i mbrojnë me gjak banesat e tyre në rast se shteti nuk ua shpronëson me vlerën që ka sot tregu. Ata janë mbështetur së fundi në këtë protestë dhe nga deputetë të opozitës, dhe nga vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha.