Pas urdhrave për ndalimin e kafeve në orarin e punës dhe atë për mbetjet, Sandër Lleshi ka “përveshur mëngët” për një urdhër të tretë. Ndonëse ka pak ditë që ka marrë postin, ai është treguar mjaft strikt, dhe ka vënë në praktikë planet e tij. Numri dy i komanduar në Ministrinë e Brendshme, i është drejtuar me këtë urdhër të gjithëve policëve “barkderra”.
“Policët mbipeshë dhe me bark, nuk do kryejnë shërbim në vende të dukshme”. Ky është urdhri më i fundit i zv/ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshi. Numri dy i komanduar në Ministrinë e Brendshme, ka miratuar një urdhëresë me 19 pika për etikën e punonjësve të Policisë së Shtetit, e cila mban firmën e zv/drejtorit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu.
Por ajo që bie në sy është pika 8 e urdhëresës, ku thuhet se punonjësit e policisë mbipeshë, të cilët në dokument quhen “barkderra”, do bëjnë shërbim vetëm në vende të padukshme, kjo për të mbajtur larg syrit të opinionit publik, paraqitjen jo estetike të tyre.