Ish-futbollisti i Shpresave të Shqipërisë dhe i Kosovës, u bë më i famshëm falë shprehjes së tij në rrjetet sociale “Jam shqiptar, jam bos, sepse ha pite me kos”. Kjo shprehje, u bë shumë shpejt virale, për vetë faktin se Krasniqi aktivizohet në kampionatin e Malajzisë me skuadrën e Kedah.
Me golat e shënuar dhe ndihmën që i jepte skuadrës së tij, Krasniqi është kthyer në idhullin e tifozerisë, por sot ka qenë një ditë jo shumë e këndshme për shqiptarin. Ai nuk e ka rinovuar kontratën me klubin, duke u larguar nga skuadra, gjë e cila nuk është pritur mirë nga tifozët që kanë kërkuar qëndrimin e tij në skuadër.
Në një postim në rrjetin social “Instagram”, Krasniqi është shprehur se po largohet mes lotësh nga klubi, duke qenë se ka kaluar momentet më të mira aty.
“Faleminderit Kedah për gjithçka. Faleminderit Kedah që besuat te unë. Sot është një ditë e trishtë dhe po shkruaj me lot në sy, por u premtoj se kurrë nuk do t’ju harroj dhe shpresoj që të më falni nëse kam bërë ndonjë gjë të gabuar.
Pas 4 vitesh të mrekullueshme, ndoshta një ditë do të bashkohemi sërish. Tani është koha për të thënë mirupafshim. Nuk mund ta besoj. Ju dua të gjithëve, sidomos tifozët. 105 ndeshje, 38 gola dhe 52 asist”, shkruante Krasniqi në “Instagram”.