Nga James Stavridis “Time”/ Kohët e fundit isha në Napoli të Italisë, ku u takova me komandantin e Komandës së Forcës së Përbashkët të NATO -s, admiralin Xhemi Fogo. Një komandant shtatlartë dhe i fuqishëm i nëndetëseve bërthamore, ai ndodhet aktualisht në Norvegji, duke drejtuar stërvitjen më të mëdhe ushtarake në historinë e aleancës, që nga koha e Luftës së Ftohtë.
Mbi 50 mijë trupa, qindra avionë dhe dhjetëra anije luftarake nën komandën e tij, janë të shpërndara rreth Evropës veriore, si pjesë e stërvitjes “Trident Junction”. Përveç 29 vendeve të NATO-s, si Suedia ashtu edhe Finlanda do të kenë role të rëndësishme. Dhe një tjetër komb jo i NATO-s, ka gjithashtu një rol:ndërsa kundërshtari në stërvitje është “imagjinar”, ai është qartazi modeluar sipas Rusisë.
Stërvitja zgjat 2 javë, deri në 7 nëntor, dhe përqendrohet në mbrojtjen e territorit të NATO-s nga një pushtim grabitqar. Duhet të theksohet, se do të ketë një grup avionësh gjuajtësh të përqëndruar në aeroplanmbajtësen bërthamore “USS Harry S. Truman”, që operon në ujërat e acarta mes Grenlandës, Islandës dhe Mbretëria e Bashkuar, kanalin ujor që NATO do të duhej ta mbajë nën kontroll, për të pengur depërtimin e forcave detare ruse në rastin e një lufte.
Ndihej era e stërvitjeve të tipit “Tom Clancy”. Unë kam qenë pjesë e atyre stërvitjeve për dekada, dhe që datojnë që në kulmin e Luftës së Ftohtë. Ushtarakët në të dyja anët, i marrin këto ngjarje me seriozitetin më të madh – aeroplanët bartin municione të vërteta, ushtarët hidhen në ujërat e akullta apo në brigje të trazuara, anijet hapin zjarr kundër shënjestrave të lëvizshme. Rusia është duke reaguar keq. Po e kritikon ashpër këtë stërvitje, dhe këmbëngul se do të hakmerret me stërvitje të reja, ashtu edhe me sisteme të reja armësh.
Po pse NATO po i shpenzon këto burime, dhe po merr ndër sy këto rreziqe? Së pari, stërvitje të tilla janë një mundësi për ushtarët e NATO-s dhe partnerët, që thjesht të praktikojnë artin e luftës. Nëse përfshihemi në ndonjë luftë në Evropë, forcat tona do të duhet të jenë në gjendje të veprojnë në mënyrë të përsosur dhe së bashku në rrethana të vështira – për të luftuar sulmet kibernetike, armët e teknologjisë së lartë, pozicionin e brendshëm gjeografik dhe përparësinë, që do të ketë një armik i vetëm kombëtar nga një strukturë e komandës së përbashkët.
Kapërcimi i këtyre pengesave, do të kërkojë jo vetëm forcën brutale, por edhe njësitë e trajnuara dhe të koordinuara që luftojnë së bashku në mënyrë efektive. Praktika, të bën në mos të përsosur, më së paku shumë të aftë.
Së dyti, aleanca i sheh lojërat e luftës si vendimtare për të penguar sjelljet e mëtejshme agresive nga Rusia, pas pushtimit të Ukrainës, aneksimit të Krimesë dhe sulmeve kibernetike në vazhdim.
Ndërsa admirali Fogo dhe unë u ulëm për të biseduar, duke kundruar Gjirin e Napolit në prag të nisjes së stërvitjes, ishte e qartë se ai i sheh këto lojëra lufte, si një përgjigje të përshtatshme për një Federatë Ruse agresive dhe të rilindur.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, njëherazi ish-kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg, bie dakord më këtë konstatim. Që të dy kanë nxituar të vënë në dukje, se ushtrime të tilla janë mbrojtëse në natyrën e tyre, por siç tha së fundmi admirali Fogo “nëse Rusia na sfidon, ne do t’i përgjigjemi”.
Ai ka të drejtë të shqetësohet rreth aktivitetit rus rreth periferisë së aleancës, dhe është nuk është e vështirë të dëgjosh “fantazmat” e vjetra të Luftës së Ftohtë, që trazojnë erërat e Detit Baltik.
Së treti, manovrat ushtarake vijnë pas një loje lufte shumë më të madhe të Rusisë (ndonëse në kufirin e saj lindor), me mbi 300.000 trupa – pra 6 herë herë më e mëdha, se sa loja aktuale e luftës e NATO-s.
Rusia, ka zhvilluar gjithashtu një seri stërvitjesh ushtarake rreth periferisë së NATO-s, gjatë 6 viteve të fundit. Rusët, kanë operuar kohët e fundit shumë agrevisisht, me luftanije dhe avionë luftarakë, shpesh duke depërtuar në hapësirën ajrore të Aleancës, dhe duke u përballur në det me anijet luftarake të NATO-s.
E gjitha kjo i ka tronditur vendet e NATO-s në lindje, sidomos vendet balltike që janë më të ndjeshme. Ndaj “Trident Juncture”, është parë si një përgjigje ndaj pozicionimit ushtarak rus. Së fundmi, militarizimi i vazhdueshëm i enklavës jetike të Kaliningradit në veri të Evropës qendrore, është thellësisht shqetësues për NATO-n.
Ndoshta rripi i tokës më strategjik në Evropën Perëndimore, Kaliningradi, është në thelb një rajon i Federatës Ruse, që gjendet midis Polonisë dhe Lituanisë në Detin Baltik. Rusia po përmirëson atje pistat e avonëve, po ndërton bunkerëve të rinj për municionet, baza për lëshimin e armëve bërthamore, dhe përgjithësisht po përgatitet të çojë raketat të rrezikshme balistike.
Kjo është një shkelje e Traktatit për Kufizimin e Armëve Bërthamore INF, siç e sheh Uashingtoni. Dhe kjo një pjesë e arsyes se përse SHBA-ja ka kërcënuar të tërhiqet nga marrëveshja e kontrollit të armëve.
Një garë e re e armatimeve, është gati të nisë në Evropë, çka ka shqetësuar shumë nga aleatët tanë. Të marra së bashku, këto janë arsye të forta që NATO-n të stërvitet për luftë. Por nuk është në interesin e askujt, të zhytet në një tjetër Luftë të Ftohtë në shkallë të plotë.
Pas përfundimit të stërvitjes masive “Trident Junction”, NATO duhet të mbajë shënime, dhe të dalë me një strategji më të mirë se si duhet përballuar Rusia – me diçka tjetër përveç thjesht organizimit të lojërave të mëdha dhe të shtrenjta të luftës.
Ngjarje të tilla janë të nevojshme, por jo të mjaftueshme. Ne kemi nevojë për një plan që përfshin presionin ndaj Rusisë, për të respektuar traktatin e INF përpara se të jetë tepër vonë; mbajtjen e sanksioneve ekonomike ndaj Moskës, të vendosura pas pushtimit të Ukrainës; një aftësi më e fortë anti-kibernetike për aleancën; hapjen e linjave të forta ushtarake për të reduktuar shanset e një përllogaritje të gabuar; dhe rigjallërimin e Këshillit NATO-Rusi për të reduktuar tensionet.
E gjithë situata është frustruese, dhe kërkon një durim strategjik; por është më mirë se sa të shohësh lojërat e luftës, të shndërrohen në një luftë të vërtetë. Duke qenë komandant në shumë prej këtyre stërvitjeve, unë mund t’ju siguroj se një konflikt i vërtetë është vetëm një hap larg.
Shënim:James Stavridis, gjeneral në pension, ka qenë komandanti i 16-të i Forcave Aleate në NATO.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce