Një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, për “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Rrëmbim personi”, është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Specialistët në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë arrestimin provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë të një 44-vjeçari. Bëhet fjalë për shtetasin Musli Haliti, 44-vjeç, banues në fshatin Dobroshtë-Tetovë, (Maqedoni).
Arrestimi i tij u bë në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë. Gjatë verifikimit të dokumentacionit në sistem, 44-vjeçari rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjykata e Monzës në Itali, me vendim penal nr 316/2001 E.S datë 04.06.2001, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për kryerjen e veprave penale “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe “Rrëmbim personi”.
Për veprime të mëtejshme, u njoftua ZQK Interpol Tirana, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.