Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar çështjen e ndryshimit të kufijve në Kosovë. Si gjithnjë i drejtpërdrejtë, Haradinaj ka treguar “prapaskenat” e kësaj ideje, teksa deklaron se janë hedhur shuma të mëdha për të elaburuar këtë ide.
Haradinaj ishte i ftuar në debatin e Forumeve UET, ku u soll si pyetje qëndrimi i analistit Baton Haxhiu lidhur me korrigjimin e kufijve, ku ky i fundit parashtroi tezën se përse duhej të arrihej një marrëveshje me Serbinë mbi termin “korrim kufijsh”.
Haradinaj, tha se kjo nuk është çështje ideje, por diçka shumë e madhe, që është “blerë me para”.
“Një shumë e caktuar e parave është derdhur nga dikush në një kohë të caktuar, për të krijuar një opinion publik si në Kosovë si Shqipëri për këtë. Batonit edhe mund t’i pëlqejë ideja, mund edhe ta besojë, por unë e di që është derdhur një shumë e caktuar parash për të bindur një pjesë tonën, që po e dhamë ne Leshakun dhe nuk është Gazivoda, nuk është as Trepça ku është një rrafshnaltë në të cilin ka edhe paisje të emetimit të frekuencave civile ushtarake.” -tha Haradinaj, teksa shton: “edhe Batonin dhe Batonat e tjerë, me gjithë respektin që kam për ta i siguroj që dhe ne i marrim vesh këto axhendat, ku fillojnë, nga vazhdojnë, ku nisin, kush i sponsorizon”.
Për mos-ndryshimin e kufijve Haradinaj ishte i prerë teksa artikuloi: “Jam një prej të gjallëve të atyre që vdiqën për Kosovën”…
Me termin “korrigjim” është nënkuptuar se Serbia të marrë Veriun e Mitrovicës, ndërsa Kosova të fusë në hartën e saj Luginën e Preshevës. Haradinaj është më se i prerë në këtë pikë, duke përmendur disa herë shprehjen: “Pse duhet të kënaqim dhunuesin? Ata duhet të gjejnë zgjidhje, jo ne. Ata duan të pastrojnë imazhin e tyre”.