Arrestimi i Albert Gegës, na ktheu 10 vite pas në kohë e na kujtoi një tragjedi të rëndë. Ndalimi i tij na risolli në vëmendje tragjedinë e Butrintit. Në përpjekje për të kaluar nga Shqipëria për në Greqi, 5 persona humbën jetën.
Në mesin e 22 personave që tentuan kalimin e kufirit në tetor të vitit 2008, ishin dhe vajza dhe gruaja e Dritan Jahos, si dhe vetë. Fatkeqësisht gruaja e tij Elvira Jaho-22 vjeçe dhe vajza Klara Jaho -3 muajshe, ndërruan jetë.
Në atë kohë gazetari Ferdinand Dervishi, i ka marrë në një interviste Dritan Jahos. Ai rrëfente se si i kishin ikur nga duar gruaja dhe vajza. Ai kishte qenë bashkë me to në varkë dhe tregon gjithë përpjekjet që ka bërë për të shpëtuar vajzën dhe gruan.
Intervista e plotë
Dritan Jahos i janë tharë lotët. Atij të mjerit nga Lapardhaja e Beratit, që përjetoi tragjedinë shqiptare të radhës duke humbur fëmijën dhe gruan fare pranë teatrit antik të Butrintit, duke i humbur për së gjalli, duke i ikur nga kjo botë të shkëputur për herë të fundit nga duart e tij, përpara syve të tij, tashmë duket nuk i bën asgjë përshtypje. Tashmë mendja e tij duket sikur ka mbaruar punë me dhimbjen, sikur i janë tharë edhe plagët e mara vetëm pak orë më parë, por edhe tiparet dhe krejt shpirti. I mbështetur keqas në një karrige në avllinë e shtëpisë së vjehrrit në fshatin Perondi të Beratit, nga ku nga çasti në çast pritet të dalin arkivolet me trupat e dy njerëzve të vetëm që përbënin familjen e tij të re, Dritani të sheh drejt në sy kur rrëfen. Një rrëfim, përgjatë të cilit nuk lexon asgjë për dhimbjen. Ajo duket e ka braktisur për t’i lënë vendin një tjetër gjendjeje. Djaloshi përballë ndihet i mashtruar, i dhunuar, i vrarë dhe dëshiron vetëm hakmarrje.
Dritan, a je në gjendje të na rrëfesh ngjarjen?
Do mundohem, edhe pse tani nuk e kam mendjen atje. Tani e kam mendjen vetëm të shoh në pranga ata motër… (shan) që më dhanë garanci me jetën e tyre se familja ime do mbërrinte shëndoshë e mirë në Greqi. Por edhe po nuk i gjeti policia, kam për t’i gjetur unë se i njoh mirë…
Përse duhet të kalonit andej, pasi ngjarja ka ndodhur në liqenin e Butrintit, që është larg kufirit tokësor, por edhe detar me Greqinë?
Dëgjo. Ne erdhëm këtu bashkë me nusen, Elvirën dhe vajzën e sapolindur, Klarën, sepse asaj iu vra vëllai në Greqi, në Kretë. Pas të dyzetave të të ndjerit nisa të kërkoja njerëz apo trafikantë, si u thonë, për të shkuar bashkë me familjen në Greqi. Sepse puna nuk të pret gjithë kohën, ta zë tjetri. Shokë të mi më thanë për mënyra të ndryshme kalimi, më ofruan edhe çmime për viza të rregullta kalimi për në Greqi, por ato kishin pazare të kripura. Kështu që oferta më e mirë që më erdhi ishte kjo nga Saranda në drejtim të Igumenicës. Trafikantët që hiqeshin sikur ishin njerëzit më të përpiktë dhe më të ndershëm, që thoshin se punonin vetëm me familje dhe se kishin marrë urime nga të gjithë, kërkonin nga 1000 euro për secilin. Dy ditë ndenjëm në Sarandë, të tretën, dje erdhën dhe na morën me fugona. Por në Butrint, nuk kaluam te lundra. Seç flisnin për një postbllok policie. Diku rreth orës 19:00 të mbrëmjes së djeshme (19 tetor) lamë rrugën e makinave në të djathtë, kaluam nëpër një shteg me ferra dhe zbritëm diku në rrëzë të liqenit. Aty ishte një varkë. Pra me këtë varkë ne do dilnin në anën tjetër, në drejtim të fshatit Zarë dhe më tej do të vazhdonim në këmbë deri në kufi për gjithë natën.
Dhe ti pranove të hipje në varkë bashkë me familjen?
Pranova sepse ata që na shoqëronin – ishin katër gjithsej, dy nga Fieri dhe dy nga Saranda – na bindën se s’kishte për të ndodhur gjë. Ishin aq këmbëngulës dhe bindës sa kujton njërin që më thoshte se dilte ai garant me jetën e vet për gruan dhe fëmijën tim. Se garancia ishte e plotë… Thjesht e bënin fushë me lule. Mendo edhe situatën, kur të tjerët ishin shumica adoleshentë. Ndërkohë barka u kthye pasi çoi matanë liqenit 10 të parët. Ne të tjerët bëheshim 11. Por kishim edhe shumë çanta. Kujtoj se unë me familjen u bindëm të fundit të hipnim. Por edhe ata që na shoqëronin e humbën xhentilesën. Pasi para se të vendosja të hipnim në varkë, një nga ata qenët më kërcënoi. Më bërtiti, më shau… E pashë me inat dhe i thashë se me të mbërritur në bregun tjetër duhet të sqaronim diçka mes nesh.
Por nuk mbërritët në bregun tjetër?
Jo nuk mbërritëm. Sa u nis varka që drejtohej nga një vozitës i vetëm, filloi të fuste ujë. Mu duk sikur ishte krejt e kalbur përfund saj. Kishim bërë me pak se gjysmën e rrugës, rreth 40-50 metra kur ajo u mbush plot me ujë dhe u anua. U anua në drejtimin e kundërt me atë ku rrinin unë me gruan dhe vajzën. Pashë që drejtuesi i varkës, lopataxhiu, u hodh në ujë i pari për të shpëtuar. Paniku na mbërtheu të gjithë. Unë mora vajzën në duar dhe ende nuk po dija si të veproja, kur ndjeva varkën të përmbysej. Ana ku isha mbështetur unë po ngrihej lart, bashkë me njërën nga lopatat që lëvizte në drejtim të kokës së vajzës. Instintivisht në këtë moment kërceva në ujë, duke mbajtur vajzën lart me duar. Vajzën e shpëtova nga goditja, por vetë u dërrmova në brinjë nga buza e varkës (tregon poshtë bluzës një të vrarë me sipërfaqe të madhe që nuk e lejon të qëndrojë drejt në karrige).
Pse nuk arritët ta nxirrnit vajzën në breg?
U mundova me gjithë shpirt. Por në ujë njeriu nuk është aq i fortë sa edhe në tokë. Sapo u hodha në ujë, vajzën e ngrita me njërën dorë lart dhe nisa të notoja. Në të njëjtën kohë vështrimi im kapi Elvirën, që po përpëlitej pak më tej. E arrita edhe atë dhe i thashë të mbahej në kurriz, e kapur pas bluzës. Kujtoj se isha aq i freskët sa pata kohë të zbërtheja dhe largoja pantallonat që më pengonin të notoja. Por fati ishte deri këtu. Këtu e kishte shkruar Zoti të ndodhte e keqja. Një nga ata që mesa duket mbaheshin pas varkës më kërceu në shpinë duke me vënë këmbën në kokë. U zhyta dhe pashë që vajza e vogël më ra nga dora. Mezi dola përsëri sipër, duke larguar atë tjetrin nga vetja. Ishin çaste të vështira, për pak u mbyta, pasi gruaja, Elvira, nuk më lëshonte bluzën. Pak çaste më tej e mora veten dhe nisa të notoja në drejtim të bregut. Një mendje më thoshte të nxirrja gruan në breg dhe të kthehesha të kërkoja vajzën. Por edhe mendoja, të nisesha bashkë me gruan në drejtim të bregut. Mendoja se ndërkohë vajza mund të mbytej përfundimisht. Ishin çaste të vështira. Çaste kur mendja ndonjëherë llogaritë si të mundshme edhe të pamundurën. Sepse një çast ajo sikur më bindi se po të shpejtoja, mund të kthehesha në kohë dhe të kërkoja vajzën. Notova me sa fuqi kisha dhe iu afrova bregut ku tashmë shikoja që kishin dalë disa nga ata djemtë që ishin në varkë.
Pra gruan e nxorët të gjallë në breg?
Derisa ishte me mua, ishte gjallë. E dëgjoja që merrte frymë me forcë pas kurrizit tim, ku mbahej. Por mendjeprishur unë e lashë atë dy-tri metra larg bregut dhe u ktheva për të kërkuar vajzën. Mendova se ajo do ja dilte të shkonte deri te bregu. Mendova se ata djemtë në breg do ta ndihmonin. Me sa di unë ajo ka dalë me frymë, por nuk e ndihmuan në kohën e duhur. Faji ishte imi gjithsesi që nuk e çova me duart e mia deri në breg.
Të hasnin këmbët në tokë aty ku e le?
Jo. Ishte thellë.
Po vajzën a mundët ta gjenit?
Jo. Shkova me not te varka, u zhyta disa herë për ta kërkuar, por nuk e gjeta. Nuk e mbaj mend sa herë jam zhytur. Vetëm kujtoj se kam qenë duke dhënë shpirt, kur më kanë kapur nga një varkë që erdhi për të na shpëtuar.
Ja treguat policisë emrat e njerëzve që ju premtuan, emrat e trafikantëve?
Ata emra që dija ua thashë. Por unë kisha të gjithë numrat e telefonave të tyre në celularin tim që gjendej në xhepin e xhupit të Elvirës. Po atje ishte edhe celulari i saj, të hollat dhe disa bizhuteri. Nëse gjendet telefoni im, dhe nëse karta e tij është e padëmtuar, atëherë unë mund ta ndihmoj shumë policinë të gjejë autorët e kësaj ngjarjeje. Por edhe të tjera gjëra që unë di, policisë mund t’i hyjnë shumë në punë. Për shembull di që njëri nga trafikantët sot (20 tetor) duhet të jetë në Gjirokastër se ka gjyqin e të vëllait. Nesër (sot, 21 tetor) kam vendosur të shkoj në Sarandë, te policia dhe të them gjithçka di. T’i ndihmoj si të mundem për të kapur ata qenër.
Por policia edhe mund të mos i kapë…
Unë shpresoj që ajo t’i fusë në burg. Për këtë do ndihmoj sa të mundem. Por nëse policia nuk bën asgjë, të paktën atë tipin që më premtoi, që më dha garanci me jetën e vet se familja ime do shkonte gjallë e shëndoshë në Greqi, atij do ja ngul thikën në lule të ballit. Unë tashmë nuk kam më asgjë për të humbur.
Një vrasje makabër solli në Berat çiftin e tragjedisë
Ka qenë një vrasje makabër që ka sjellë nga Greqia në Berat çiftin Jaho, Dritanin dhe Elvirën, bashkë me vajzën e tyre, Klarën tri-muajshe. Para se të mësonin për vrasjen e vëllait të Elvirës, të dy ishin sistemuar mirë e bukur në një zonë të Korinthit në shtetin fqinj.
Dritani punonte aty, kishte edhe dokumente të rregullta qëndrimi, ndërsa Elvira dhe vajza ende jo. Por askush nuk i shqetësonte dhe kaq mjaftonte për të bërë një jetë të qetë, mbase të lumtur. Por, rreth dy muaj më parë, burrë e grua mësojnë se në ishullin e Kretës policia kishte gjetur kufomën e masakruar të vëllait të Elvirës. Fillimisht nga të gjithë u mësua se vrasja mund të ishte hakmarrje për një krim të para 5 viteve në mes të fshatit Perondi, për të cilin viktima e Kretës ishte akuzuar si bashkautor. Por me kalimin e ditëve për masakrimin u akuzua dhe arrestua një vendas, grek, 16-vjeçar. Gjithsesi në këtë histori, e keqja ishte se procedurat e marrjes së kufomës e të tjerë probleme duhet të përfshinin edhe Dritanin dhe Elvirën. Shqiptarët e kanë zakon të sakrifikojnë për të tilla raste. Elvira dhe vajza nuk kishin dokumente greke, dhe Dritani e kishte të qartë se në kthim do e kishte të vështirë. Kështu që mbërrijnë në Perondi të Beratit, për të bërë ceremonitë e varrimit dhe më tej edhe zakonet e tjera dhe kur familja organizon të dyzetat, Dritani nis të kërkojë një mundësi për t’u rikthyer në vendin e tij të punës, në Korinth të Greqisë. Por nuk kishte qenë e thjeshtë. Çmimet e vizave ishin të kripura, ashtu si edhe koha që donin derisa të dilnin. Por edhe çmimet e ofruara për kalim klandestin në Greqi ishin gjithashtu të kripura. Më në fund Dritani ishte bindur për kalimin nga Saranda. Një i njohur i kishte premtuar kalimin në Greqi deri në hipjen në një autobus të Igumenicës, që nisej në drejtim të jugut të Greqisë, kundrejt çmimit 1000 euro për njeri. I bindur, Dritani kishte marrë gruan dhe vajzën dhe së bashku, në shoqërinë e njërit prej organizatorëve të “udhëtimit”, ishin nisur për në Sarandë.