Ndonëse u bë një kohë shumë e gjatë që Majlinda Bregu nuk ka dhënë një deklaratë ndaj PD-së, me të parin rast ajo ka mundur të përcjellë ‘thumbin’ e saj. Bregu thotë se është mbesë në Shëngjergj, por nuk i kursen thumbat për ata që qeverisin sot Partinë Demokratike. Ajo citon se rrugën e këtij fshati që ka nevojë për vëmendje e zhvillim, e ka ndërtuar “PD-ja e vërtetë”.
“Në Shëngjergj! Në fshatin ku jam mbesë, përmes rrugës që ndërtoi PD e vërtetë, vetëm 40 km larg Tiranës, aty ku ka edhe lumë edhe mal edhe ujvarë dhe liqen, edhe më shumë nevojë për vëmendje & zhvillim të qëndrueshëm rural!”, shkruan ajo.
Shëngjergji priti të shtunën festën tradicionale të domates, “Domate Fest”, një panair me produkte të zonës.
Festës nuk i është bashkuar vetëm kryebashkiaku Erjon Veliaj, që ka vizituar disa nga stendat e panairit, por edhe Majlinda Bregu.
Bregu bëhet zëri i radhës që i kundërpërgjigjet indirekt kreut demokrat, Lulzim Basha. Më herët, Jozefina Topalli nuk kurseu një sërë kritikash ndaj kryedemokratit, duke e vënë me “shpatulla pas murit”.