Gjykata ka lënë në burg dy prej tre personave të arrestuar për ‘korrupsion’. Në qeli do mbeten avokatja Donata Lepenica, dhe 32 vjeçari Yzeir Bala, ndërsa masa e sigurisë “arrest shtëpie” është vendosur për Megi Naksin.
Tre personat u arrestuan më 20 shtator, si të përfshirë në një skemë korrupsioni me 2 mijë euro, për të ndryshuar një masë sigurie. Hetuesit e Krimeve të Rënda kishin bllokuar prej disa ditësh edhe serverin e kamerave të sigurisë së Prokurorisë së Tiranës, pasi ishin filmuar tre të dyshuarit, duke ushtruar ndikim të paligjshëm për ndryshimin e masës së sigurisë.
Ndërsa prokurori Përparim Hasa është pezulluar dhe po hetohet, pasi emri i tij u përmend nga avokatja Donata Lepenica. Kjo e fundit, dyshohet se është filmuar nga kamerat e sigurisë duke shkuar në zyrën e prokurorit, për t’i kërkuar ndryshimin e masës për klientin e saj.
Hetimi ndaj tyre nisi më shumë se një javë me parë, në bazë të informacioneve të marra nga Prokuroria, për një masë sigurie.
Bëhej fjalë për një të akuzuar për “prodhim dhe shitje të lëndës narkotike”, të cilit i ishte kapur një sasi prej 3 gramësh.
Përkundrejt dhënies së një shume prej 2 mijë eurosh, është kërkuar marrja e një mase “detyrim paraqitje”.
Pamjet filmike kanë fiksuar momentin kur avokatja futet në zyrën e Hasës.
Në sajë të përgjimeve telefonike është zbuluar se avokatja i drejtohet të pandehurit që ajo mbron se “gjithçka e kam zgjidhur me prokurorin”.
Biseda me të akuzuarin është bërë pak çaste pas takimit të saj me prokurorin e Tiranës, në zyrën e këtij të fundit.