Nga selia e PD-së është njoftuar se kryedemokrati Lulzim Basha do të ketë një deklaratë të jashtëzakonshme në orën 19:00.
Njoftimi vjen pak orë pasi maxhoranca në Komisionin e përhershëm të Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, miratoi sot Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, dt. 27.07.2018 “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””.
Pas debatesh të forta me opozitën, maxhoranca miratoi e vetme ndryshimet në ligjin për Teatrin Kombëtar. Kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi u shpreh se shumica ka vendosur që të pranojë dekretin e Presidentit për të bërë disa ndryshime në ligj, ku më kryesorja është hapja e garës. Shalsi bëri të ditur se këto amendime i janë dërguar për mendim edhe Autoritetit të Konkurrencës, për t’u shprehur për këtë çështje.
Ndërsa opozita ka kërkuar të mos bëhen arnime në ligj pasi ai ka rënë. Pas debateve deputetët e opozitës kanë lënë mbledhjen.
PD akuzoi maxhorancën për shkeljen e rregullores së parlamentit dhe mohimin e të drejtës së Presidentit për t’i vënë veto një ligji. Sipas PD, maxhoranca është e blerë nga paratë e krimit.