Milot Rashica nuk ka nguruar që të tregojë dhe në Gjermani emocionet e ndeshjes me Ishujt Faroe. Mesfushori, i cili luan me skuadrën e Werder Bremen ka komentuar se ndeshja në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte një nga më të paharrueshmet për të dhe kosovarët.
Rashica nuk lë jashtë vëmendjes dhe faktin që deri më tani skuadra ka luajtur në Shqipëri, por gjen rastin për të treguar se ata janë ndjerë si në shtëpi, pasi jemi një komb.
“Ishte fitorja e parë zyrtare kështu që mendoj se ishte e mrekullueshme për të gjithë lojtarët, por Kombëtaren tonë, për tifozët që erdhën të na shikojnë. Bëmë histori, mendoj se ishte një moment i paharrueshëm për vendin tonë.
Ndeshja kundër Ishujve Faroe ishte ndeshje e veçantë, por jo vetëm për mua, për të gjithë sepse ishte edhe ndeshja e parë si vendas pas dy viteve, më parë kemi luajtur në Shqipëri. Edhe atje ndihemi si në shtëpinë tonë, sepse ne jemi si vëllezër, jemi një.
Por, ishte shumë larg për ne dhe për tifozët që të udhëtojnë dhe të na përcjellin në Shqipëri. Tani mund të luajmë në vendin tonë, para tifozëve tanë, para familjeve tona, në një stadium të ri, atmosfera ishte jashtëzakonshme. Atë mbrëmje stadiumi ishte i stërmbushur, natë fantastike”.