Shumë krime po ndodhin kohët e fundit, aq sa edhe politika po e shfrytëzon, duke marrë nisma të tilla si zbarkime nga një qytet në tjetrin dhe ngritjen e zërit, për të përçuar se duhen protesta për një ndryshim.
Nga njëra anë kemi opozitën e cila bën fajtore qeverinë, si të lidhur me botën e krimit. Kuvendi është lënë në harresë nga ana e opozitës, e ndërsa qeveria nuk e vë ujin në zjarr nga këto ankesa.
Por qytetarët nuk janë budallenj, dhe shfrytëzojnë mundësinë e parë për të jetuar të qetë, për të fituar diçka më shumë nga ana ekonomike, për të siguruar një jetesë më normale, etj.
Është akademiku Artan Fuga, i cili përmes shkrimit të radhës, cek një temë aktuale, e cila na prek të gjithëve ne. Duke na cilësuar ne si një popull të zgjuar, ai thotë se qytetarët nuk mendojnë për partitë, as për politikën, reformat.
Ata presin zgjedhjet, një mënyrë kjo për të rregulluar hallet. Shqiptari tund votën për të zgjidhur hallin e një çatie të prishur, të ndonjë punësimi, të ndonjë rruge të pa asfaltuar, të ndonjë ndihme sociale, etj.