Fundjavën që lamë pas bëri mjaft bujë udhëtimi i kryeministrit Edi Rama nga Vlora për në Torino. Si tifoz bardhezi, ai ishte i ftuar nga presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli për të ndjekur ndeshjen e parë të Juves për këtë sezon në “Allianz Stadium”, ku debutoi dhe Cristiano Ronaldo përballë Lazios.
Pas ndeshjes Rama ka folur për mediat italiane ku sqaron pasionin e tij për futbollin dhe për Juventusin në veçanti. Intervistë Rama e dha me telefon për televizionin TELENORD të Genovas, emisionin “Derby di lunedi” i cili drejtohet nga Beppe Dossena, ish-trajner i kombëtares shqiptare.
“Jemi miq tashmë të dy edhe sepse ti ke qenë trajner i kombëtares shqiptare për një kohë të shkurtër dhe pastaj erdhi Xhani, (De Biasi) dhe korri frytin e punës tënde… shaka”, tha Rama, por e vërteta është që Dossena u largua në mënyrë të turpshme nga kombëtarja jonë pasi ndërpreu kontratën vetëm pas 6 muajsh dhe nuk ktheu as rrogat e marra paradhënie.
“Ju e dini që përveç kombëtares, shqiptarët gjithmonë kanë bërë tifo për Italinë. Pastaj jemi të ndarë mes juventinëve dhe milanistëve… ka edhe interistë, por ata të shkretët po vuajnë paksa.
Juventusi është një çështje besimi. Unë e ndjek që kur isha 6 vjeç dhe kur televizori ishte bardhezi dhe tashmë bardhezi është Juvja. Mendoj se rasti i Juves nuk është një çështje futbolli apo tifozerie. Juve është një çështje se si bëhet skuadra dhe se si lufton skuadra. Është gjithmonë një frymëzim” , tha Rama për Telenord.