Luan Rama ka konfirmuar para të rinjve në kampingun e LRI në Jalë, se në LSI s’ka më drejtorë zullumqarë, pasi ata kanë mbetur si minj pas pushtetit. Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama, ka bërë një deklaratë të fortë, duke hedhur pas shpatullave të gjithë ata që kanë qënë pjesë e kësaj force.
Tashmë pas largimit, ai nuk nguron që të lëshojë një lum me akuza. Po kështu ai ka apeluar ndaj të rinjve që të marrin në dorë fatet e tyre, sepse politika në Shqipëri nuk ka qenë udhëheqëse, por udhëmbyllëse.
Mjaft i drejtëpërdrejtë në qëndrimin e tij, ai ka thënë se tashmë është hera e parë që në LSI nuk ka më servilë, s’ka drejtorë zullumqarë, pasi si minjtë kanë mbetur pas kusisë së pushtetit. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Luan Rama ka shtuar më tej se ata drejtorë janë shitur, pas thërrimeve të pushtetit.
“Shqipëria vazhdon ende të jetë në udhëkryq, sepse politika në Shqipëri nuk ka qenë udhëheqëse, por udhëmbyllëse, prandaj është detyra juaj, misioni juaj dhe përgjegjësia juaj të rrëzoni kasta dhe të ndërtoni shoqërinë e vlerave, të barazisë dhe dinjitetit.
Është hera e parë që këtu nuk ka me servilë, hipokritë, nuk ka më drejtorë zullumqarë që u bënë shëmtia e angazhimit në qeverisje, sepse ata si minjtë kanë mbetur pas kusisë së pushtetit, janë shitur pas thërrimeve të pushtetit dhe ne jemi këtu për të dëshmuar që kjo rini është e vendosur të marrë përpara cilindo që bëhet pengesë, pavarësisht se në cilin krah është”, u shpreh Luan Rama.
“Shqiptarët për fat të keq nuk kanë qeverinë që meritojnë, prandaj ju dhe si ju e gjithë rinia shqiptare duhet të bëjë që Shqipëria jo të ketë qeverinë, por të ketë politikën që meriton, qeverinë që meriton, realitetin që meriton, zhvillimin qe meriton, prandaj është koha e rinisë dhe rinia duhet të kapërcejë epokat për të bërë realitet kohën e vetë”, deklaroi ai.