Maskat janë rikthyer fuqishëm, e një tjetër sulm me armë ka ndodhur në një shtëpi në fshatin Porodinë, në Korçë. Tentativa për grabitje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku katër persona të maskuar kanë lënduar lehtë një prej pjesëtarëve të familjes.
Burime zyrtare nga ana e policisë thonë se hajdutët, kanë hyrë në banesën e 38-vjeçarit me inicialet E.D., dhe gjatë tentativës për të vjedhur, kanë lënduar lehtë njërin prej pjesëtarëve të familjes.
“Më datë 12.08.2018, rreth orës 22.30, në fshatin Porodinë-Korçë, dyshohet se katër shtetas të maskuar, kanë hyrë forcërisht për të vjedhur në banesën e shtetasit E.D, 38-vjeç.
Menjëherë në vendngjarje, kanë shkuar shërbimet e policisë, ku sipas deklarimeve të pronarit të banesës, autorët dyshohet se kanë qenë të maskuar e armatosur, dhe gjatë tentativës për të vjedhur, kanë lënduar lehtë njërin prej pjesëtarëve të familjes, dhe më pas janë larguar duke mos arritur të realizojnë vjedhjen”.
Nga ana e policisë, janë ngritur pika të shumta kontrolli, dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve si dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.