Një manovrim i gabuar i drejtueses së mjetit, është bërë shkak për aksidentin me pasojë jetën që ndodhi dje në Kodër Kamzë, në Tiranë. 38-vjeçarja Rozina Koleci, me automjetin tip “Benz”, përplasi për vdekje një vajzë 7-vjeç dhe 29-vjeçarin Ramazan Ishmi, i cili po ecte në ato momente me biçikletë.
Sipas “Ora News”, në dëshminë e saj shoferja është rrëfyer se shkak i aksidentit është bërë një gabim në timon. Ajo ka treguar se kishte ngatërruar frenat me gazin.
Drejtuesja e mjetit fillimisht është përplasur me biçikletën, më pas me furgonin e bardhë dhe më pas me nënën dhe dy vajzat, 6 dhe 7-vjeçe që ndodheshin në trotuarin e vogël, në mes të rrugës. 29 vjeçarja Valbona Ndreu dhe dy vajzat e saj kanë dashur të kalonin në anën tjetër të rrugës.
Po ashtu, është vërtetuar pas veprimeve hetimore se gruaja nuk ka qenë as nën efektin e alkoolit, dhe as duke ecur me shpejtësi.
Ndaj Rozina Kolecit është firmosur arresti, dhe pritet të dalë në gjyq për vlerësimin e sigurisë.