Teksa më parë ishte një tabu të flisje për marrëdhëniet seksuale, në ditët e sotme asgjë nuk është më e ndaluar. Mosha e mesme, të rinj, madje edhe fëmijë kanë kureshtje të mësojnë sa më shumë. Por, në gjithë këto informacione të marra, sa prej tyre janë njohuri edukative?
Sociologu Gëzim Tushi në një intervistë për Tirana Today shprehet se në vitet e fundit shqiptarët kanë kuriozitet për marrëdhëniet seksuale. Por, shpesh herë gjuha që artikulojnë ose njohuritë të cilat merrin janë të gabuara.
“Kjo gjuha e ligjërimit të seksualitetit, ndonjëherë bëhet edhe gjuhë e shthurur. Duhet të rregullojmë strukturën e informacionit i cili ndikon në formimin kulturor dhe edukativ, nga ajo që herë pas here ndikon në prishjen e kulturës seksuale. Është e parakohshme pjekuria seksuale, është ulur mosha e fillimit të aktivitetit seksual. Ka arritur deri në nivelin 14% të fëmijëve në klasa të nënta e më lartë, që i fillojnë marrëdhëniet seksuale. “
Si pasojë shumë prej tyre nga pakujdesia apo mungesa e duhur e informacionit mbesin shtatzëna. Kjo pasi nuk i njohin rreziqet e kryerjes së marrëdhënieve seksuale pa mjete mbrojtëse. Dhe jo pak herë shkojnë deri në abortim që në moshë të vogël.
“Vajza shumë të vogla bëjnë abort për shkak se mbeten shtatzëna. Mendoni një vajzë 14-16 vjeçe ka bërë abort. Pasojat e abortit janë të jashtëzakonshme dhe të llahtarshme. Të shkulësh një pjesë nga trupi i femrës, për shkak të një mendjelehtësie.”
Tushi shprehet për Tirana Today se abortet duhet të ndodhin vetëm në disa raste, si arsye shëndetësore, përdhunimi apo varfëria.
“Lejimi i abortit ishte një sukses i madh për femrën. Nëse ka arsye shëndetësore do të thotë që aborti veç anës ligjore është edhe moralisht i pranueshëm. Po ashtu, një abort është i domosdoshëm kur fëmija ka ardhur si rezultat i një përdhunimi. Si edhe arsye që kanë të bëjnë me varfërinë, sidomos tek ato çifte të cilat nuk kanë njohuri dhe çdo vit bëjnë nga një fëmijë dhe më pas nuk kanë si t’i mbajnë e të kujdesen për to.”
Prej shekujsh shoqëria shqiptare është patriarkale dhe maskiliste, duke e konsideruar botën të meshkujve dhe diskriminuar gjininë femërore. Kjo gjë reflektohet në punë, familje e deri në momentin e ngjizjes së fëmijës. Sipas një studimi të INSTAT, 60% e aborteve bëhen për shkak të diskriminimit gjinor të seksit të fetusit.
“Një pjesë e madhe e aborteve që ndodhin në Shqipëri, janë aborte selektive. Por, në të vërtetë ky është abort kriminal. Kur bën gruaja djalë, babai mburret në lagje dhe bën festa. Ndryshe ndodh kur lind vajzë, ai është më i turpshëm e si me kokë të ulur. Nuk e duan vajzën se ajo ka probleme, do ta martosh, do t’i përgatitet paja. Shihni sa e frikshme është, kur flasim për diskriminimin dhe pabarazinë gjinore fillon që në barkun e nënës. Që aty fillon alarmi, obobo është femër dhe duhet ta heqim, sepse duhet me patjetër të jetë mashkull. Është e drejta e njeriut të ketë fëmijë sa të dojë, ose të mos ketë fare. Por, kjo nuk bëhet nëpërmjet abortit. Bëjnë aborte dhe i hyjnë prapë punës për të bërë fëmijë, deri sa t’i dalë mashkull”. TIRANA TODAY