Kryeministri Edi Rama deklaron se në raportet me opozitën asgjë nuk është e pamundur, përveç dhënies së pushtetit nga ana e Partisë Socialiste. Në një intervistë për gazetarin Lufti Dervishi në emisionin “Përballë” në RTSH, kryeministri Edi Rama ka lënë të hapur edhe mundësinë përsëritjes së një marrëveshje të re mes tij dhe Lulzim Bashës, si ajo e 17 majit 2017.
I pyetur nëse mund të përsëritet pakti i majit 2017, Rama tha: “Unë nuk mendoj se është e pamundur, por nga ana tjetër siç e keni parë dhe siç e kanë parë të gjithë opozita është pa lidership, pa vizion, pa strategji, pa program dhe ecën kuturu pa menduar për hapin e tretë, të katër, të pestë. Pra pavarësisht se ishte një mënyrë e mirë për të krijuar një eksperiencë dhe për të mësuar shahun, Lulzim Basha ka mbetur…“.
Marrëveshja parazgjedhore e majit 2017 mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, cilësohet si pakti që solli dërrmimin elektoral të Partisë Demokratike dhe humbjen më të madhe historike të saj. Nga ky pakt, Edi Rama siguroi qeverisjen i vetëm ndërsa opozita po vuan pasojat e një marrëveshje që i ka sjellë vetëm dështime në aksionet e saj.
Nga ana tjetër, Edi Rama la të kuptohet se në shtator PS do të paraqesë një platformë bashkëpunimi me opozitën, ku PS-ja do të ofrojë çdo gjë përveç pushtetit.
“Ne e vetmja gjë që nuk mund t’i ofrojmë Partisë Demokratike dhe simotrës së saj LSI është pushteti. Të tjerat janë të gjitha për diskutim. Nuk kemi asnjë problem. Jemi duke përgatitur një platformë bashkëpunimi që do ta bëjmë publike me fillimin e sezonit të ri parlamentar dhe jemi të gatshëm për çdo propozim të opozitës që nuk na kthen mbrapa, rikthim mbrapa te reforma në drejtësi, rikthim mbrapa te ligjet e reformës në drejtësi, rikthim mbrapa tek ligji vettingut nuk ka për të patur për sa kohë që do të jemi në krye të këtij vendi“,- deklaroi kryeministri Edi Rama.
Pyetje: Në prag të pushimeve, mund të thuhet se mund të quhet i mbyllur viti i parë i qeverisjes vetëm. Më mirë vetëm?
Edi Rama: Viti i parë mbyllet në…
Shtator….
…fund të shtatorit, por sigurisht është mbyllur sesioni i parë i legjislaturës dhe në një kuptim është viti i parë politik dhe patjetër është më mirë vetëm. Nuk diskutohet.
Ju keni thënë se ky do të jetë mandati më i vështirë që do të keni, a rezultoi i tillë viti i parë i qeverisjes tuaj?
Sigurisht, sigurisht sepse sfida është shumë e madhe dhe ndërkohë ne jemi vetëm në tryezën e qeverisë, por qëllimi ynë është të jemi në një koalicion real me njerëzit e zakonshëm për të cilin kemi nisur një përpjekje shumë serioze, përditë, hap pas hapi dhe ma ha mendja se si hap i parë, nëse mund ta konsideorjmë mandatin me katër hapa, është një hap pozitiv pikërisht në drejtim të përfshirjes të njerëzve në një proces ndërveprimi me qeverinë përmes platformës sonë shqipëriaqëduam.al, përmes llogaridhënies tonë publike që ishte më intensive sesa një fushatë elektorale për nga kapilariteti dhe që shënoi një proces dëgjimi dhe komunikimi të ri dhe patjetër edhe në gjitha aspektet e tjera të qeverisjes duke filluar nga përpjekja e jashtzakonshme për të transformuar administratën.
Këto janë gjëra që i keni bërë ose po i bëni dhe që do t’i kthehemi pak më vonë, por ju e pranuat që ishte vit i vështirë. Cili ka qenë momenti më i vështirë për ju si kryeministër?
Momenti më i vështirë ka qenë momenti kur u gjendëm përballë faktit se nuk ishim të përgatitur si duhej dhe nuk kishim bërë punën e duhur për të mundësuar fillimin e procesit të pagesës për rrugën e Kombit dhe…
… protesta e Kukësit
Dhe aty…nuk është çështja te protesta, por është çështja tek fakti që ne nuk bëmë si duhet detyrën tonë.
Në këtë rast, kishte një moskuptim të realitetit, një shkëputje nga realiteti se si jetojnë njerëzit, një tarifë krejt e papërballueshme për atë zonë. Cili është mësim i madh që nxorrët nga ky rast?
Mësimi i madh ishte që nuk duhet asnjëherë t’i marrim gjërat të mirëqena dhe duhet gjithmonë të jemi në sinkron me njerëzit në procesin e politikbërjes. Pastaj sigurisht ka raste që duhet të marrësh vendime që mund të mos jenë…
…popullore.
…që krijojnë kënaqësi të përgjithshme, por nuk ishte ky rasti. Dhe nga ana tjetër sigurisht që argumentat për të nisur atë proces ishin të gjitha nga pikapmja aritmetike, por kjo nuk është vetëm aritmetikë dhe në fund fare në çdo hap të rëndësishëm nuk mund të jemi taktik, por duhet të jemi strategjik dhe në atë rast ishim thjesht taktik dhe gabim.
Një nga objektivat që ju shpalosët vjet në gusht për vitin e parë ka qenë çelja e negociatave, por 27 qershori nuk është se u shoqërua me fishekzjarre në Tiranë, në kuptim metaforik, dhe Shqipëria nuk mori hapjen e negociatave, mori një afat të ri dhe një listë të gjatë me detyra dhe një proces që nuk ka qenë më parë, procesi i screening, procesi i skanimit. duke parë listën e detyrave që duhen bërë është realiste të pritet që qershorin tjetër të gjitha detyrat e lëna nga Këshilli do të jenë të plotësuara?
Së pari besoj që njerëzit e kanë kuptuar sepse nuk ka qenë e vështirë për t’u kuptuar që procesi ka dy nivele. Ka një nivel të objektivitetit teknik që është procesi që shkon në komision dhe që përfundon me raportin e komisionit dhe ka edhe një nivel tjetër të subjektivitetit politik që është procesi që shkon nga Komisioni në Këshill, ku janë vendet anëtare që vijnë aty me gjithë bagazhin e problematikave të veta të brendshme. Dhe e vërteta është që vendet anëtare u ndanë në 25 vende që ishin për hapje të menjëhershme të negociatave dhe pastaj në vendet që ishin për një shtyrje.
Por ajo që është e rëndësishme është që pavarësisht se negociatat nuk u hapën menjëherë formalisht, u hap procesi i skanimit, që ishte një kompromis i artë sa na takon sepse faktikisht edhe nëse negociatat do të ishin hapur formalisht ne do të bënim skanimin. Kjo është një mënyrë që përdoret për herë të parë për Shqipërinë dhe Maqedoninë, nuk është përdorur për të tjerët. Mos të harrojmë që Mali i Zi e ka marrë hapjen formale të negociatave dhe më pas i janë dashur 6 muaj për t’i hapur ato de facto.
Serbia e ka marrë hapjen formale dhe i janë dashur më shumë se një vit për t’i hapur ato de facto, sepse procesi i skanimit është një proces goxha kompleks. Ne kemi 12 muaj që i kemi fituar dhe nuk i kemi humbur dhe çka do të ndodhë në qershor do të jetë përsëri një rezultat i asaj që ne do të kemi bërë dhe patjetër nuk e diskutoj fare që do të jetë me rekomandim pozitiv nga Komisioni dhe asaj që do të jetë situata brenda vendeve anëtare. Megjithatë duke patur parasysh që do të jemi në momentin, kur do të kemi të njëjtin Komision dhe vendet anëtare do të kenë kaluar zgjedhjet për në Parlamentin Europian, që ishin arsyeja kryesore e rezervës së Francës në radhë të parë, nuk kemi arsye pse të dyshojmë seriozisht në një rezultat pozitiv.
Do të thotë që vendet skeptike si Danimarka, Franca, Hollanda nuk do të jenë më skeptike pas 12 muajsh?
Edhe njëherë, qoftë Franca, qoftë Hollanda sepse Danimarka ishte si të thuash një vend që u shfaq në krah të tyre vetëm në momentet e fundit, nuk është se e kishin me Shqipërinë. Ishin në një pozicion që ishte vijëmisi e natyrshme e pozicionit të tyre në raport me Europën dhe në kontekstin e brendshëm si pozicion më i përshtatshëm.
Tek e fundit a mbetet i kënaqur nga kompromisi i arritur?
Patjetër që mbeta i kënaqur sepse në fund fare procesi nuk është një provim për të marrë një çertifikatë se kalove klasën në Bruksel apo Europë, procesi është një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar këtu Shqipërinë europiane dhe në këtë aspekt procesi nuk ka ndalim, procesi ka vazhduar me skanimin, që siç e thashë është faza që pason çeljen formale të negociatave dhe kjo më ka bërë, na ka bërë, që të jemi të kënaqur me rezultatin.
Zoti Kryeministër më lejoni të jem pak skeptik lidhur me punën që do të bëhet këtu, nëse do të lexoj vetëm 2-3 fjali nga konkluzionet e Këshillit: Këshilli thekson rëndësinë që Shqipëria të ketë rezultate të tjera të prekshme dhe të qëndrueshme, përfshirë sektorë specifikë is kultivimi dhe trafikimi i drogave; luftë ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe çmontimin e rrjeteve të krimit të organizuar; ngritjen e institucioneve të specializuara në luftën ndaj korrupsionit; dialogu me opozitën për reformat; nevojë kritike për të konsoliduar progresin në reformën e drejtësisë; dënime përfundimtare në të gjithë nivelet…dhe adresimin e rekomandimeve të OSBE- ODHIR për zgjedhjet, dmth këto janë vetëm një pjesë e listës ndaj asaj që Këshilli kërkon, krahas vlerësimeve që ka për Shqipërinë. Mund t’i realizohen këto…
Më fal se ndoshta të ndërpreva. E para, të kemi të qartë se këto fraza do të na shoqërojnë deri kur të bëhemi anëtar, madje këto fraza janë fraza që po shoqërojnë jetën politike të Rumanisë apo të Bullgarisë edhe sot që janë anëtarë, të jemi të qartë.
E dyta, nga pikëpamja e objektivave konkretë që ka brenda në ato fraza, ne sigurisht që do t’i bëjmë sepse janë gjëra që do t’i bënim si me negociata, si pa negociata. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë është detyrim i një procesi që ka filluar dhe që po ecën sipas parashikimeve. Thelllimi i luftës ndaj korrupsionit është një proces që ka filluar dhe po ecën sipas parashikimeve, se këtu flasim për luftë ndaj korrupsionit dhe flasim për peshq të mëdhenj, po a ka diskutim që gjithë këto gjykatës dhe prokurorë që po shfaqen si “peshkaqenë” në të gjithë dimensionet e veta duke u përzënë nga pallati i drejtësisë janë pjesë e një lufte të përshkallëzuar kundër korrupsionit? Nuk mund të ketë diskutim.
Sigurisht që këta kanë qenë figura në një pushtet në hije, edhe pse hija ka qenë shumë e rëndë në shpatullat e gjithkujt që ka patur punë me gjykatat, por nga pikëpamja e influencës së këtij pushteti, nga pikëpamja e korrupsionit të këtij pushteti, ky është pushteti më i korruptuar në Shqipëri. Nuk diskutohet fare. Kështu që është një proces që është kompleks. Ato fraza janë të gjitha… siç e thashë nuk do të zhduken mbasi të hapen negociatat, përkundrazi…do të jenë aty…
…ka disa fraza që mund të zhduken nëse ka vullnet politik, një prej tyre është që këshilli thekson se një dialog i qëndrueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për reformat që lidhen me BE mbetet vendimtar për avancimin e axhendës së reformës në të mirë të qytetarëve dhe në afrimin e vendit me BE, pika 47. Procesi kërkon domosdo opozitën.
Kjo frazë nuk do të zhduket për sa kohë nuk do të zhduket nga Partia Demokratike hija e rëndë e së shkuarës dhe njëkohësisht edhe paaftësia alarmante për të kuptuar realitetin dhe për të nxjerrë mësime nga humbjet. Kështu që le të mos kemi ansjjë iluzion në këtë aspekt do të kemi në vijimësi këtë frazë deri kur të kemi një parti demokratike të reformuar dhe të gatshme për t’u sjellë si alternativë qeverisës dhe jo si alternativë muskuloze.
Ju po flisni se çfarë duhet të bëj kundërshtari, në këtë rast pyetja është: çfarë mund të bëni ju si kryeministër?
Unë dhashë përgjigje për frazën që,… fraza thatë është “në dorën tonë”, nuk është në dorën tonë, është në disa duar, se përsa na përket ne, ne kemi qenë dhe mbetemi të gatshëm për të bashkëpunuar me opozitën. Unë e kam treguar me fakte kokëforta. Dhe fakti më kokëfortë ishte shtrirja e dorës së bashkëpunimit për muaj të tërë ndaj opozitës për të garantuar procesin e kaluar zgjedhor dhe lutja për muaj të tërë ndaj kryetarit të opozitës dhe marrëveshja më në fund e arritur jo si nevojë dhe interes i ngushtë i drejtpërdrejt politik se po të ishte për interesin e drejtpërdrejt dhe të ngushtë politik, nuk kishim marrëveshje me opozitën dhe kishim sot të gjithë parlamentin le të themi në dispozicion dhe askush nuk do të na thoshte plaçi se ndërkohë qoftë SHBA qoftë BE ia vunë vizën asaj mundësie të përfshirjes së opozitës dhe opozita sot, Partia Demokratike do të ishte një forcë tërësisht e izoluar, por interesi i Shqipërisë dhe interesi i shqiptarëve e donte dhe për këtë arsye unë e bëra gjithë atë përpjekje dhe jam i gatshëm ta bëj gjithmonë këtë përpjekje. Mirëpo…
Mund të përsëritet magjia e 17 majit (2017- marrëveshja me opozitën)?
Unë nuk mendoj se është e pamundur, por nga ana tjetër sic e keni parë dhe siç e kanë parë të gjithë opozita është pa lidership, pa vision, pa strategji, pa program dhe ecën kuturu pa mednuar për hapin e tretë, të katër, të pestë. Pra pavarësisht se ishte një mënyrë e mirë për të krijuar një eksperiencë dhe për të mësuar shahun, Lulzim Basha ka mbetur…
…u kthyet prap te dama.
Po, sepse kjo është damë, kjo është pa strategji, unë do të ha këtë, ti do të hash këtë dhe kaq…nuk shkohet më tutje pa strategji dhe magjia mund të përsëritet kur opozita të gjendet përsëri ngjitur me murin dhe të shikojë se nuk ka më asnjë mundësi për të ecur më tutje sepse është muri përballë.
Zoti Kryeministër a keni ju një ofertë për opozitën që ajo të bëhet pjesë e procesit sepse shumë gjëra duhet të bëhen bashkë me të, vijueshmëria e reformës në drejtësi, ligji për magjistraturën, keni një ofertë për opozitën që të integrohet…
Ne do të…
…që njeriu të nisë të ndryshojë mendje duhet të ndjejë pak fitoren.
Ne e vetmja gjë që nuk mund t’i ofrojmë Partisë Demokratike dhe simotrës së saj LSI është pushteti. Të tjerat janë të gjitha për diskutim. Nuk kemi asnjë problem. Jemi duke përgatitur një platformë bashkëpunimi që do ta bëjmë publike me fillimin e sezonit të ri parlamentar dhe jemi të gathsëm për çdo propozim të opozitës që nuk na kthen mbrapa, rikthim mbrpa te reforma në drejtësi, rikthim mbrapa te ligjet e reformës në drejtësi, rikthim mbrapa tek ligji vettingut nuk ka për të patur për sa kohë që do të jemi në krye të këtij vendi. Ndërsa..