Efektivi i policisë Haki Dyli me detyrë trupë shërbimi në Gjykatën e Durrësit, i cili u prangos të martën nga uniformat blu, ishte nën hetim prej disa muajsh. Ai premtonte të ndërmjetësonte në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve për zgjidhjen e proceseve gjyqësore.
Shkak për fillimin e përgjimeve për Dylin ishte bërë një sinjalizim në polici i vetë kryetares së Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi, më 30 Janar të këtij viti. Informacionet që kishin mbërritur tek ajo për implikimin e këtij efektive në këtë veprimtari korruptive, iu referuan policisë e më pas Prokurorisë së Durrësit që nisi hetimin.
Numri i telefonit të punonjësit të policisë u vu në përgjim si person në rolin e sekserit të mbetur në tentativë, ku sipas prokurorisë së Durrësit, doli edhe avokati Devis Qana.
Organi i akuzës thekson se Devis Qana dhe Haki Dyli zhvillojnë komunikime të shkurta e më pas takohen fizikisht për shkak së zyra e avokatit është pranë Gjykatës. Gjatë bisedës së regjistruar më datë 14 Prill 2018, pretendohet se një prokurore i ka kërkuar 2 mijë euro për të mbyllur një çështje.
B- Po Haki!
A- Hajde se kam një punë tepër urgjente!
B- Erdha erdha…
B- …ai ishte avokat apo sekser?!!
A- …mua më tha që do ja pushoj çështjen patjetër.
B- Mua më tha kështu…unë do ta mbyll çështjen brenda 2-3 vleftësim-ndalimi dhe caktimi masë sigurimi. Djalin do ta nxjerr të pafajshëm. Do t’u jap dhe një dokument që djali është i pafajshëm.
A – Kështu me tha dhe mua…
B- Donte 600 mijë lekë për vete dhe 2 mije euro Prokurorja…
Më herët më datë 7 Mars rreth orës 10 e 30 minuta, Haki Dyli zhvillon një bisedë telefonike me një person. Polici Dyli i kërkon bashkëfolësit 1 mijë euro, të cilat siç thotë ia kishte kërkuar djali i punonjësit të Gjykatës së Durrësit.
A – …erdhi sot urgjent ai zotëria.. tha pasnesër ke 1000 euro. Mirë i thashë dakord!
B – Erdhi sot urgjent eee?!
A – Po, ai i biri.
B – I biri?
A – E pra, nga Vlora.
B – Aaaa ku është aty?
A – Po erdhi e unë nuk e njofta fare i vajta i thash lëviz makinën që ktej, kur ai më tha mua nuk po më njeh!!…eee do vij pasnesër.
B – Ashtu tha?
A – Po…do vij vetë tha pasnesër e do të sjell tha gjysmat e lekëve, do ma bësh hallall tha se nuk kam pas mundësi e kam pas lakun në grykë tha…
Por në një rast tjetër, Haki Dyli tregohet më i kujdesshëm dhe flet me kode.
A – Përshëndetje
B – Përshëndetje, si je Haki mirë? Me kërkon ndonjëri aty te gjykata?
A – Jo të mora unë vete…..?
B – Po…
A – Tashi dëgjo mua se ndërmjetesit i kanë këto, kur bëhesh ndërmjetës…
B – Më thuaj….
A – I thuaj babit do t’i sjellë 150 unë dhe do t’ja vonoj një cikë atë qindëshen.
B – po mirë pa problem i them unë…”
Punonjësi i policisë Haki Dyli dhe avokati Devis Qana do të dalin të enjten për njohjen me masën e sigurisë në Gjykatën e Durrësit për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike e kryer në bashkëpunim”./abcnews.al