Kryeministri Edi Rama për të shumtën herë ka treguar se nuk pyet për protesta dhe për atë që e këshillojnë ekspertët. Ashtu si vendosi për të mbjellë palma në autostradën Tiranë-Durrës, veprim për të cilin pati shumë kundërshtime dhe dëmi ishte kolosal, Rama në postin e kryeministrit sonte deklaron se Teatri i ri do të ndërtohet dhe për këtë nuk pyet fare artistët.
Deklaratat kryeministri i bëri në një kohë kur projektligji për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar do të kalojë në Kuvend për miratim, duke hasur me kundërshtinë e një grupi artistësh.
Sonte gjatë ceremonisë së inaugurimit të ‘Turbinës’, deklaroi se nuk duhet të shtrohet pyetja; ‘a duhet të ruhet apo jo godina e Teatrit Kombëtar?’.
Rama tha se nuk u takon aktorëve dhe regjisorëve që të vendosin nëse do të ndërtohet apo jo godina e re, por profesionistëve të fushës. Mes të tjerash ai e cilësoi të gjithë këtë reagim një estradë politike, ndërsa tha i prerë se godina e humbi bastin aventuresk.
Ky është një rast i mirë për të vënë disa pika mbi ‘i’, pasi po ngrihet volumi i vajtimit për të zezën që e gjeti kulturën dhe artin për shkakun tonë. Ne nuk kemi bërë mrekulli, por 571 monumente janë përtej greminës, 20 operacione shpëtimi po zhvillohen aktualisht, ndërsa 67 projekte janë gati për t’u futur në zbatim. Nuk është pak që të kujtohet që pas dekadash pa asnjë ndërtim në fushën e kulturës janë ndërtuar 4 muze të rinj, janë strehuar 3 thesare.
Në 2017 numri i spektatorëve në Teatrin Kombëtar ishte 5 herë më shumë se në 2014. Historinë e një teatri nuk e nderon godina e vjetër, por vlera e protagonistëve. Mjafton të shikosh, teatrin, bibliotekën dhe muzeun, që ende nuk është vënë dorë, pas një braktisje nga shteti, por janë mjaft që gojtoret e baltës të qepen dhe të mos bëjnë zë fare.
A duhet të ruhet ngrehina absurde e Teatrit Kombëtar, nuk është kjo pyetja e vërtetë dhe nuk ka sens që ky të jetë shqetësimi i aktorëve. Kanë të drejtë që të kërkojnë kushte optimale, por nuk kanë si të marrin të drejtën e vendimmarrjes për ruajtjen e një godine të vjetër apo ndërtimin e një të reje, u takon vendimmarrësve të votuar nga populli që të marrin vendimin në bashkëpunim me specialistët. Godina mund të jetë pjesë e historisë së teatrit dhe mund të mos jetë, në rastin tonë nuk është. Shqipëria nuk e pati kurrë një godinë të denjë teatri. Mbreti Zog e kishte në planet e tij, përballë Piramidës, por nuk pati kohën në dispozicion, regjimi komunist e përfundoi ngrehinën e nisur në 1938 nga italianët.
Në 45 vite regjimi ndërtoi Operan dhe Galerinë dhe teatrin e futi në kompleksin e ndërtuar nga italianët. Shqipëria është i vetmi vend në Europë dhe rajon pa një skenë të denjë të Teatrit të vet Kombëtar. Nuk është pyetja a duhet prishur Teatri Kombëtar, ajo godinë ku sot nuk e bën një festival kombëtar, jo më rajonal, është e degraduar. Pyetja është cfarë duhet bërë për të mbushur ikjet e aktorëve të mëdhenj. Robert Ndrenika është moikani i fundit. Pyetja është se cfarë duhet të bëjmë që t’i përgjigjemi deficiteve, krijuesve dhe interpretuesve të skenës sonë, trashëgimtarët.
Kriza e vërtetë e teatrit sot mes të djeshmes dhe yjeve të saj. Qeveria është gati të ulet për të kuptuar se cfarë mund të bëhet më shumë. Godina e ka mbyllur misionin e saj me kohë dhe me vak. Si mund të ketë sot një regjisor dhe aktor që të mos dojë një teatër të ri dinjtioz. Teatri do të ndërtohet 100% nga privati, shteti do të vendosë në dispozicion truallin, ndërsa në zona pas teatrit do të zhvillohet. Nuk do të prishim mbrëmjen për të komentuar ata bishtat që dalin pas.