Nga Koloreto Cukali/Një gjë është e qartë si drita e diellit: Teatri do të prishet sepse prishja e tij është i vetmi argument për t’i dhënë oligarkut Fusha.shpk pronë publike me vlerë të lartë që të ndërtojë 6 kulla në zonën më qendrore të Tiranës.
Ky transferim i pronës publike do të bëhet në mënyrë të paligjshme, duke shkatërruar një ndërtesë historike, dhe duke dëmtuar në mënyrë të pariparueshme urbanistikën e qendrës.
Kushdo që nuk e kupton këtë, le të shkojë të blegërijë tek delet e të ushqehet me tagjinë e propagandës së Bashkisë, sepse nuk meriton të jetë pjesë e debatit.
Kam dëgjuar aktorë të thonë: varja pronës publike, rëndësi ka të bëhemi me Teatër të ri. Ky qëndrim, vetëm prej artisti nuk është. Madje, është dhe i cekët. Por, le të mos presim nga aktorët të mbrojnë pronën publike e le të rrimë te Teatri, shtëpia e tyre por dhe e qytetit.
Çfarë po ndodh me Teatrin? Nga jashtë, pak kush është i qartë, sepse Bashkia bëri çmos për ta çoroditur publikun.
Asnjëherë më parë Veliaj nuk ka përdorur si këtë radhë arsenalin e rëndë të propagandës: 3 televizionet kryesore, Vizioni i Dulakëve ndërtues, Klani i Sandrit ndërtues, madje edhe TOP-i i Blushit opozitar, kishin një kryeredaktor të vetëm: zyrën e shtypit të Bashkisë
Zyra për shtyp e Bashkisë transformoi në mënyrë perverse çdo argument e raportim, duke u dhënë jehonë delfinëve të Kryetarit, duke terrorizuar me gjendjen e stisur të Teatrit e duke zhdukur nga lajmet çdo argument serioz.
Nëpër rrjetet sociale e në komentet poshtë shkrimeve, u lëshuan lukunitë e të punësuarve në Bashki për të fryrë tezën që Teatri duhet shembur e për të ngritur në qiell projektin e shpëtimtarit të Teatrit, z. Veliaj.
Në të ashtuquajturën dëgjesë publike, rreshti i parë ishte i mbushur me njerëz të kryetarit. Lista e folësve ishte përcaktuar nga z.Veliaj.
Foli aty për të shembur Teatrin një Drejtor Teatri Kukullash i emëruar nga z.Veliaj, Drejtoresha e një Teatri mike me Niko Peleshin, një aktor i vjetër që ëndërron që i biri të bëhet ministër i Ramës, një dekan i Arteve që nuk ka luajtur kurrë në TK, nja 2-3 të punësuar në Institucione, nja 2-3 aktorë që marrin fonde pa fund nga Bashkia, njëri që i kanë futur gruan në punë në Bashki, një tjetër aktor që ëndërron të bëhet drejtor nga Kumbaro, e kështu me rradhë. Me arrogancë iu pre fjala atyre që nuk donte kryetari.
Në lajme (të montuara nga Bashkia), fjala e Sindikatës (SASE) as nuk u pasqyrua fare. Filloi përpunimi i tezës se artistët janë të përçarë.
Aktorë e artistë, u thirrën veç e veç në zyrë te Kryetari, për t’u blerë mendjen dhe votën. Dikujt edhe iu premtua diçka. E tëra sipas lojës “të shkëpusim dele nga tufa që t’i hajë ujku”.
Më pas, Veliaj thirri delet institucionale: urbanistë, zjarrfikës e arkitektë që paguhen direkt prej tij ose hanë bukë me projekte të Bashkisë. Njerëz që nuk i pyet kurrë askush, përveçse për të firmosur aty ku do Fusha.shpk, kryetari i vërtetë i Bashkisë.
U krijua dhe një fabul për gjasme frymëzim protestash nga PD-ja. Pastaj, u pompua fort një takim me 3 artistë dhe për të krijuar gënjeshtrën që marrëveshja me komunitetin u arrit, u ndërtua me urgjencë një listë bishtash me 65 firma.
Kjo lista e bishtave u bë si në kohë të Berishës: ca firma u manipuluan .Disa u morën në telefon dhe iu mor “po”ja me presion; disa e futën vetë qafën në zgjedhë; disa kanë frikë për rrogën; nja 2-3 janë keqinformuar dhe e dinë ngjarjen tjetër për tjetër; nja 5 a 6 janë nga Korça e që duhet t’i bëjnë qokën Peleshit (me Teatrin e Tiranës); nja 2 paskan çuar firmat me faks që nga Shkodra; gjysmat nuk duhej të ishin fare në listë se nuk janë askushi.
E gjithë kjo artileri propagande, gjithë këta njerëz të rreshtuar me dashje a pa dashje aty, sepse ky projekt është shumë i rëndësishëm. 20%-shi i atyre që “rregullojnë muhabetin” shkon dhjetëra milionë euro.
Teatri Kombëtar NUK është i 3 apo 65 vetëve. Me marifetet e tij, Veliaj arriti të marrë 3 artistë e t’i manipulojë në zyrën e tij.
Nuk ka rëndësi çfarë u ka premtuar. Qeveria miratoi të mërkurën ligjin e vjetër për Teatrin, pa pjerdhur për gënjeshtrat që Veliaj u ka këputur atyre të treve.
Për të tre, kam respekt profesional e personal. Por, Teatri Kombëtar ka vlerë Historike e Kulturore, ai është pronë e qytetit, dhe nuk mund të jetë në dorë të 3 personave e as të 65 personave të vendosin që duhet shembur.
Qyteti, nuk mund të lejojë ruspën ndaj Teatrit vetëm sepse fati i zi solli në pushtet Ramën e Veliajn, dhe lojën për ta prishur e ua la në dorë Kumbarove e Çulërave.
80 vjet histori nuk mund të shembet nga një njeri që ka vetëm 3 vjet në post. Minimumi, për këtë duhet të bëhet referendum në Tiranë.
65 persona, kushdo qofshin, nuk mund të marrin përsipër të zhdukin një vlerë qytetare që nuk është e tyrja.
Gjëja e parë që duhet bërë është një Bord i pavarur nga Veliaj, Rama e Kumbaro për Teatrin, me njerëz me integritet, jo me njerëz që lehin sa herë fishkëllen z.Veliaj.
Gjëja e dytë që duhet bërë është një ekspertizë profesionale, e huaj, jo e caktuar e as e paguar nga Veliaj, që të kryejë një studim serioz e të pa korruptuar mbi gjendjen e Teatrit.
Ky studim do të përcaktojë nëse Teatri mund të rinovohet apo jo, nëse në të mund të punohet apo duhet mbajtur si muze. Gjëja e tretë që duhet bërë është, që NËSE Teatri nuk mund të rinovohet të hapet konkursi për një Teatër të Ri në një vend tjetër (që le të bëhet tek prona publike, parkingu prapa, që Veliaj ia ka premtuar miqve të tij të Fusha.shpk.)
Për ata që shqetësohen se ku do gjenden paratë, po u them që paratë gjenden. Edhe në qoftë se kjo qeveri nuk do ta ndërtojë Teatrin, ka plot fonde Evropiane për artin, ka fonde private, ka donacione, brenda 2 vjetësh shuma për një Teatër të ri do të gjendet.
I vetmi njeri që kërkon të ngutet është Veliaj. Projekti është bërë, pazaret janë ndarë, Fusha.shpk pret të fillojë ndërtimin përpara se vota popullore t’u bëjë ndonjë hata në zgjedhjet e ardhshme. Ndaj z. Veliaj po përpiqet ta shesë si sukses të madh këtë krim të madh.
Si aktor, ai është në zenitin e tij, i sigurt që e ka kapur publikun dhe kolegët aktorë prej hunde. Artistët e kapur në rrjetë nga propaganda e Bashkisë, duhet të dinë që e vërteta në Shqipëri funksionon në ditën mbrapa.
Një ditë zgjohesh, e kupton që Teatri është shembur, që gjithçka që mendoje se ta kishin premtuar, në fakt nuk ta paskan premtuar.
Që krimin e bënë Veliaj, Kumbaro e Çuli, por ti ke vënë firmën aty. Për të prishur një pasuri historike, kulturore e publike që nuk kthehet më.
E vërteta e ditës mbrapa. Teatri është e dyta ndërtesë historike që duan të prishin, pas Stadiumit Qemal Stafa (që Rama vetë e pati shkruar si Trashëgimi Kulturore për t’i futur ruspën pa mëshirë dhe në mënyrë antiligjore).
Pas Teatrit Kombëtar e ka rradhën Galeria e Arteve e më pas Teatri i Kukullave, një tjetër ndërtesë historike. Veliaj vetë, i gëzuar, kur kujtoi se i mposhti artistët e lëshoi fjalën që për Galerinë ka një tjetër projekt prishjeje.
Vendin e tyre do e zënë kullat e partnerëve të Veliajt. E vetmja shpresë që ky krim të ndalet është që aktorët të rezistojnë.
Nëse shembet Teatri, për Galerinë nuk do ketë kush të protestojë përveç piktorëve të vdekur (ku hyn dhe njëfarë Edi Rama); ndërsa për Teatrin e Kukullave, e vetmja kukull aty, Drejtori i emëruar nga Veliaj do jetë mëse i lumtur t’i bëjë shërbim interesave të Kryetarit.
Por, lufta nuk ka mbaruar. NUK KA MBARUAR. Sindikata e Artistëve të Skenës e Ekranit, nuk ka firmosur. As qyteti i Tiranës nuk ka firmosur. As unë. As ti. As mijëra si ti e si unë. Ne nuk përfaqësohemi nga një listë e manipuluar me 65 vetë. (Lapsi.al)