Nga Aaaron Stein, “Atlantic Council”/Pas 16 vjetësh në pushtet, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), po përballet me një sfidë serioze, nga një aleancë opozitare në prag të zgjedhjeve kombëtare të 24 qershorit.
Turqit, do të shkojnë në votime për të votuar për kandidatët për parlamentin dhe presidencën. Zgjedhjet janë të parat për udhëheqësin e AKP-së dhe presidentin aktual turk, Rexhep Tajip Erdogan, pas një referendumi kombëtar në prillin e vitit të shkuar.
Në referendum, votuesit miratuan një sërë ndryshimesh në kushtetutë, për të transformuar sistemin politik turk nga një model parlamentar, në një sistem presidencial tejet të centralizuar të qeverisjes.
Në prag të zgjedhjeve, Erdogan dhe aleatja e tij politik, Partia e Lëvizjes Nacionaliste e ekstremit të djathtë (MHP) habitën votuesit, pasi ranë dakord të zhvendosin datën e zgjedhjeve nga nëntori i 2019-ës në qershorin e këtij viti. Përveç kësaj, të dyja partitë punuan së bashku për të ndryshuar ligjin zgjedhor turk, për të lejuar partitë të konkurrojnë si koalicion.
Votimi në koalicion, do të përcaktohet nga numri i përgjithshëm i votave të hedhura për secilën parti. Shtysa për këtë ndryshim, buron nga një moment dobësie politike, kur AKP-ja humbi shumicën e saj parlamentare në qershorin e vitit 2015, dhe nga dështimi për të rritur pragun zgjedhor prej 10 për qind.
AKP-ja nuk ka fituar kurrë më shumë se 50 për qind të votave; duke e tejkaluar këtë diferencë në vetëm 3 referendume. Për të kapërcyer këtë prag, AKP dhe MHP hynë në një aleancë formale, të quajtur Aleanca Popullore.
AKP duket se supozon se partitë e opozitës, të përçara dhe ideologjikisht në kaos, do të dështonin të bashkoheshin dhe të konkurronin me një platformë të përbashkët.
Deri tani supozimet e AKP-së kishin një farë kuptimi:Partia kryesore e opozitës, Partia Republikane Popullore (CHP) është e ndarë së brendshmi, midis reformistëve që dëshirojnë ta shtyjnë partinë drejt një platforme më liberale dhe anëtarëve më të vjetër të partisë, të lidhur me një narrativë nacionaliste, besnike e parimeve të themeluesit të Turqisë, Mustafa Kemal Ataturkut.
Partia IYI është krijuar nga një çarje e MHP. Partia Demokratike e Popullit (HDP), e dominuar nga kurdët, është e lidhur ngushtë me procesin tashmë të dështuar të paqes. Së fundmi, Partia Felicity (Saadet), është fetarisht konservatore, dhe partia nga e cila AKP-ja u shkëput nga fundi i viteve 1990.
Sidoqoftë, këto 4 parti të ndryshme janë bashkuar me një mesazh i thjeshtë:Vota për Erdogan, është një votë për autokracinë; ndaj votoni për demokracinë. CHP, IYI dhe Saadet janë në një koalicion formal, të quajtur Aleanca Kombëtare. HDP nuk u përfshi në bisedimet e koalicionit të hapur, por suksesi i saj politik është jetik për strategjinë dypalëshe të koalicionit opozitar.
Objektivi i parë është i fokusuar tek presidenca, dhe synon që Erdogan të marrë nën 50 për qind të votave, me qëllim zhvillimin e një balotazhi më 8 korrik. Për ta arritur këtë, secila parti ka paraqitur një kandidat, me Muharrem Inçe e CHP dhe Meral Aksener e IYI, që konkurrojnë për vendin e dytë.
Objektivi i dytë është i fokusuar në parlament, duke i dhënë votat për secilin anëtar të Aleancës Kombëtare dhe HDP. AKP-ja është partia e dytë më popullore në juglindje të Turqisë së banuar në shumicë nga kurdët, dhe për pasojë mund të ketë një rritje artificiale, nëse HDP-ja bie nën 10 për qind.
Nëse kjo ndodh, Aleanca Kombëtare do të fitonte me lehtësi shumicën në parlament, dhe do të çonte Aleancën Popullore në opozitë si në zgjedhjet presidenciale ashtu edhe ato parlamentare. Megjithatë, duhet të merren parasysh edhe skenarë të tjerë: Erdogan mund të mos mposhtet në raundin e dytë të votimit presidencial, me HDP që bie nën 10 për qind, duke i dhënë AKP-MHP kontrollin mbi parlamentin.
Së fundmi, ka një shans shumë të pakët që Aleanca Kombëtare të marrë shumicën në parlament dhe që Inçe apo Aksener të mundin Erdoganin në një balotazh. Rezultati më i mundshëm, është një fitore e Erdoganit, dhe një parlament i kontestuar.
Deri më sot, fushata nuk ka qenë as e lirë, as e drejtë. AKP mbizotëron televizionin turk, dhe tubimet e Erdoganit transmetohen të plota. IYI, ka qenë jo zyrtarisht në “listën e zezë” të rrjeteve kryesore televizive. Kandidati presidencial i HDP, Selahattin Demirtas, ndodhet në burg, dhe nuk ka mundësi të flasë në emisionet televizive.
Opozita ka arritur të diktojë rendin e ditës, por Erdogan mbetet politikani më popullor në Turqi, dhe zotëron burime të mëdha për ta mobilizuar bazën e tij elektorale.
Rezultati i zgjedhjeve turke mbetet i hapur, dhe opozita po ndjek pas 16 vjetësh një strategji koherente dhe të shëndoshë, për të rimarrë kontrollin e 1 apo 2 qendrave të pushtetit në vend.
PËRSHTATI TIRANA TODAY