Skënderbeu ka mbyllur një sezon fantastik, duke fituar titullin e Superiores dhe Kupën e Shqipërisë. Por tani që erdhi fundi i sezonit fillon edhe lufta me kohën për korçarët. Bardhekuqtë kanë depozituar menjëherë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë kërkesën për ngrirjen e vendimit që apeli i UEFA-s la në fuqi për të përjashtuar Skënderbeun nga kompeticionet europiane për 10 vitet e ardhshme.Por kampionët në fuqi kanë besimin e plotë se do të jenë ata që do të luajnë në Europë për të përfaqësuar Shqipërinë në Champions Ligë. Burime të sigurta të “Panorama Sport” bëjnë me dije se siguria e dhënë për klubin nga ana e studios ligjore “De Pfyffer” në Zvicër dhe në veçanti nga avokati i Skënderbeut, Zhan Shedrik Mishel, është tejet e madhe për pjesëmarrje këtë sezon.
Madje, gazeta zbulon se një nga pikat e kërkesës së Skënderbeut është besueshmëria dhe korrektesa e korçarëve në sezonin e fundit që luajtën në Europa Ligë. Ajo me të cilën përfaqësuesit ligjorë të Skënderbeut po përdorin si argument qëndron pikërisht te fakti që në sezonin e fundit të luajtur në Europë, bardhekuqtë kanë respektuar në maksimum kompeticionin duke treguar se janë një ekip i drejtë dhe gjithçka e kanë arritur me meritë të plotë në fushë.RAPORTI
Një gjë të tillë e kishte specifikuar edhe vetë UEFA në raportin që i ka dërguar klubit bardhekuq. Këtë Skënderbeu kërkon ta përdorë si një fakt të pandryshueshëm për të shmangur dënimin derisa KAS të nxjerrë vendimin e plotë pasi të kenë gjykuar në themel dosjen bardhekuqe.
Një zgjedhje e menduar hollë nga ana e Skënderbeut, duke parë vlerësimin e dhënë nga vetë UEFA në kuptimin që në sezonin e fundit të luajtur nga bardhekuqtë e kanë cilësuar prezantimin e Skënderbeut tejet korrekt duke respektuar maksimalisht kompeticionin, në të cilin marrin pjesë.Për këtë arsye, korçarët duke parë precedentin e tyre pozitiv garantojnë se siguria do të jetë maksimale në respektimin e garës edhe për këtë sezon. Kjo është një nga pikat e kësaj kërkese që i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës. Pritet tashmë që KAS, pasi të shqyrtojë kërkesën e avokatëve te Skënderbeut, të japë vendimin e vet në lidhje me këtë çështje. Vendim që pritet të dalë brenda 10 ditëve të para të muajit qershor.